Administrata e presidentit Donald Trump ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO), organ i Këshillit të Europës që monitoron respektimin e standardeve kundër korrupsionit.
Këshilli i Europës njoftoi se SHBA-ja e ka informuar zyrtarisht për vendimin për t’u larguar nga organizata. Sipas të dhënave të publikuara, vetëm dy shtete të tjera janë larguar më parë nga GRECO, Rusia dhe Bjellorusia.
Një zyrtar amerikan konfirmoi se njoftimi për tërheqjen është dorëzuar të hënën. Departamenti amerikan i Shtetit pritet të japë më shumë detaje lidhur me vendimin.
SHBA-ja ishte pjesë e GRECO-s që prej vitit 2000. Këshilli i Europës vlerësoi se Uashingtoni ka qenë një kontribuues i rëndësishëm në punën e organizatës, si dhe në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
GRECO, megjithatë, tha se mbetet i hapur për bashkëpunim me SHBA-në edhe në të ardhmen, veçanërisht në përpjekjet për parandalimin e korrupsionit, forcimin e integritetit dhe respektimin e sundimit të ligjit.
Tërheqja nga GRECO vjen në kuadër të një serie vendimesh të administratës Trump për reduktimin e angazhimit të SHBA-së në organizata ndërkombëtare dhe shumëpalëshe. Uashingtoni ka argumentuar se disa prej këtyre organizatave tejkalojnë mandatet e tyre, janë joefikase ose nuk përputhen me politikat amerikane.
Në janar, SHBA-ja u tërhoq gjithashtu nga Komisioni i Venecias, organ këshillues i Këshillit të Europës për çështjet kushtetuese. Më herët, administrata Trump kishte njoftuar edhe tërheqjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
GRECO u themelua në vitin 1999 nga Këshilli i Europës dhe anëtarësimi në të nuk është i kufizuar vetëm për vendet e Bashkimit Europian. SHBA-ja iu bashkua organizatës në vitin 2000.

