Publikimi në portale dhe platforma online i videove me përmbajtje intime, ku pretendohet se shfaqen personazhe të njohur të artit dhe medias shqiptare, ka vënë në lëvizje Policinë e Tiranës.
Mes emrave që kanë qarkulluar në lidhje me këto materiale është kompozitori i njohur Adrian Hila, ndërsa në rrjet janë përmendur edhe emra të tjerë të njohur, përfshirë Eli Farën dhe Monika Lubonjën.
Megjithatë, Policia nuk ka publikuar emrat e personave që shfaqen në materialet objekt hetimi dhe nuk ka konfirmuar zyrtarisht përmbajtjen e pretendimeve që qarkullojnë online.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka nisur hetimet kryesisht pas konstatimit të publikimit dhe shpërndarjes së këtyre materialeve.
Hetuesit po punojnë për identifikimin e adresave IP, profileve dhe faqeve që kanë publikuar apo shpërndarë videot, ndërsa paralelisht po ndërmerren procedurat për heqjen e materialeve nga platformat ku janë publikuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Hetimi synon të zbardhë se kush qëndron pas publikimit dhe shpërndarjes së materialeve intime, si dhe mënyrën se si ato kanë përfunduar në platformat online.













