AKTUALITET /

Tonelata peshq ngordhën në Kasharaj, nis procedimi penal ndaj kompanisë "Fled" që fitoi tenderin për pastrimin e rezervuarit

Në lidhje me ngjarjen, Policia e Lushnjës ka nisur procedimin penal ndaj administratorit të kompanisë “Fled” sh.p.k., Fredi Marra.

Shkruar nga Versus

Tonelata peshq ngordhën në Kasharaj, nis procedimi penal ndaj

Tonelata peshqish kanë ngordhur në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë, pasi ujëmbledhësi është tharë në kuadër të punimeve për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit kryesor.

Pamjet nga terreni tregojnë sipërfaqe të mëdha të mbuluara me baltë dhe peshq të ngordhur, ndërsa një pjesë e tyre kanë nisur të dekompozohen.

Në lidhje me ngjarjen, Policia e Lushnjës ka nisur procedimin penal ndaj administratorit të kompanisë “Fled” sh.p.k., Fredi Marra.

Sipas Policisë, gjatë punimeve për rikonstruksionin e digës së dëmtuar, kompania nuk ka marrë masat e duhura për menaxhimin e ujërave të rezervuarit, duke shkaktuar ngordhjen e një numri të konsiderueshëm peshqish.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit, e cila po heton rastin për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” dhe “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”.

Rezervuari i Kasharajt është ndërtuar në vitin 1985, ka një sipërfaqe prej rreth 190 hektarësh dhe një kapacitet prej 11 milionë metrash kub ujë. Ai përdoret për vaditjen e tokave në Myzeqe, por edhe për kultivimin e peshkut.

Në vitin 2025, Bashkia e Lushnjës akordoi 32.9 milionë lekë për rehabilitimin e shkarkuesit. Punimet duhej të kishin përfunduar rreth një vit më parë, por kompania që fitoi tenderin ka kërkuar shtyrje të afatit.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, i cili ishte në terren, deklaroi se përgjegjësia për situatën i takon pushtetit vendor.

“Kjo është totalisht e bashkisë. Ne jemi në ndihmë të bashkisë dhe për ta asistuar në të gjithë mënyrën me Bordin e Kullimit, me drejtorin e Peshkimit dhe gjithë stafin e Ministrisë së Bujqësisë”, tha Salla.

Sipas ministrit, subjekti që kishte kontratën për shfrytëzimin e peshkut deri në vitin 2022 ishte njoftuar nga bashkia për largimin e peshkut përpara nisjes së ndërhyrjes.

Ndërkohë, inxhinieri hidroteknik i Bordit të Kullimit, Ferdinant Dervishi, tha se zbrazja e rezervuarit ishte e domosdoshme për hapjen e portave të bllokuara.

“Kjo është e parashikuar edhe nga rregullorja që thotë çdo fund shtatori duhet të kontrollohen shkarkuesit, kullat e marrjes së ujit. Ndërhyrja është e domosdoshme, ndryshe do të shkaktonte katastrofë në qytetin e Lushnjës. Nuk ka mënyrë tjetër për hapjen e portave të ujit”, deklaroi Dervishi.

Ngjarja ka shkaktuar reagime edhe nga opozita. Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka publikuar pamje nga rezervuari dhe e ka cilësuar situatën si “masakër”.

“Tonelata peshqish të ngordhur kanë dalë në rezervuarin e Kasharajt. Tmerr i vërtetë me atë që ka ndodhur në Rezervuarin e Kasharajt. Për të rregulluar hinkën e daljes është tharë e gjithë këneta”, shkroi Korreshi.

Sipas deputetit, ekspertë të fushës kanë ngritur mundësinë që ndërhyrja të kryhej në një mënyrë tjetër, duke ruajtur ujin dhe shmangur ngordhjen masive të peshqve.

Ndërkohë, banorë të zonës kanë pretenduar se rrjetat e vendosura përpara shkarkuesit nga administrimi i mëparshëm i peshkimit mund të kenë ndikuar në bllokimin e tij.

Përgjegjësitë dhe rrethanat e plota të ngjarjes pritet të përcaktohen nga hetimi i Prokurorisë./Versus.al

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Versus.al (@versusalbania)

 

Poll