TIRANË- Mazhoranca dhe opozita nuk u dakordësuan në Konferencën e Kryetarëve për mocion me debat për arrestin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni e akuzuar se ka ndihmuar me informacione sekrete Ergys Agasin gjatë arratisë. Socialistët e kundërshtuan kërkesën e PD për mocion me debat, me argumentin se përgjegjësia penale është individuale dhe çështja duhet t'i lihet drejtësisë.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se çdo dyshim ndaj Hysenit duhet të hetohet deri në fund nga SPAK, pa ndërhyrjen e politikës. Sipas tij, Kuvendi nuk mund të dublikojë prokurorinë dhe të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të verifikuar prova apo për të përcaktuar përgjegjësi penale.

“Qëndrimi ynë, lidhur me hetimet mbi ish-drejtoren e Shërbimit Informativ ne presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK, të cilët duhen lënë të bëjnë punën e tyre pa asnjë ndërhyrje apo mbivendosje, përmes procesit të pavarur të hetimit dhe të gjykimit. Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale”, tha Taulant Balla.

Të papranueshme e quan kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi faktin që mazhoranca po bllokon debatin për Hysenin, për të cilën thotë se ishte vendosur me urdhër të Edi Ramës në shërbim të kreut të një grupi kriminal si Ergys Agasi. Për opozitën, një debat në Kuvend për cënimin e sigurisë kombëtare, nuk është asesi një ndërhyrje në punën e SPAK.

“Është e paimagjinueshme që Kuvendi t’i shmanget përgjegjësisë në raport me sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Kjo nuk është çështje e drejtësisë. Çështje e drejtësisë është të çojë pas hekurave dhe para përgjegjësisë ligjore cilindo që ka kryer këtë vepër penale. Kuvendi nuk e ka këtë kompetencë, por ka kompetencën e kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv dhe institucionet, përfshirë edhe SHISH-in”, tha Gazment Bardhi.

“Prokuroria e Posaçme është duke verifikuar, duke kontrolluar, hetuar faktin që shtetasja Vlora Hyseni ka ndihmuar, nëpërmjet furnizimit me të dhëna dhe informacion të klasifikuar, shtetasin Ergys Agasi. Ndërkohë që kërkesat që ne kemi bërë nuk lidhen me objektin e hetimit nga ana e Prokurorisë së Posaçme”, tha Jorida Tabaku.

Pa vëmendje nuk kaloi edhe një deklaratë e Ursusla Von der Leyen nga Tirana krah kryeministrit Edi Rama, e cila deklaroi se hetimet ndaj zyrtarëve të lartë tregojnë se sistemi i drejtësisë po funksionon. Balla e përdori deklaratën e saj për të argumentuar se SPAK duhet të lihet të bëjë punën e tij pa ndërhyrje.

“Jo më larg se dje Ursula von der Leyen konfirmoi “Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit”. Prandaj ta lemë sistemin të bëjë punën e vet”, tha Balla në Konferencën e Kryetarëve.

Përgjigjen e mori nga Bardhi në konferencë për mediat, i cili rezervoi kritika hapur në drejtim të shefes së Komisionit Europian, duke thënë se nuk mund të heshtë, kur kryeministri Edi Rama deklaron se nuk po e pengojnë drejtësinë, por nga ana tjetër e mbrojti Belinda Ballukun.

“Nuk është e çuditshme që ka partnerë ndërkombëtarë që, ndryshe nga realiteti që shohin dhe prekin shqiptarët, na servirin një konkluzion jo objektiv. Ne kemi parë ambasadorë që dilnin në krah të Tahirit, por u dënua. Shpesh vlerësimet që bëhen nuk janë objektive.

Si mund të heshtë presidentja e KE-së, kur Rama thotë: Ne nuk e kemi penguar ndonjëherë drejtësinë? A nuk ishte Rama që pengoi arrestimin e Ballukut? Nuk është kjo pengesë ndaj drejtësisë? Si mund të pranosh të të thotë një gënjeshtër në sy dhe ti të ulësh kokën? Tregon se nuk u thua shqiptarëve, por edhe europianëve, të vërtetën”, tha Bardhi.

Kërkesa e PD për mocionin me debat do t’i kalojë seancës plenare për votim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:50
Arresti i ish-kreut të SHISH/ Bardhi sulm Von der Leyen: Vlerësimet e ndërkombëtarëve jo gjithmonë objektive, si mund të heshtë kur Rama thotë se nuk e ka penguar drejtësinë? (VIDEO)

 

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, komentoi deklaratën e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila një ditë më parë tha se hetimet për korrupsionin ndaj zyrtarëve tregojnë se sistemi i drejtësisë po funksionon. Bardhi tha se vlerësimet e ndërkombëtarëve “nuk janë gjithmonë objektive”. Ai pyeti se s’mund të heshtë Von der Leyen kur Rama thotë se nuk e ka penguar drejtësinë, duke iu referuar rastit të Ballukut.

“Nuk është e çuditshme që ka partnerë ndërkombëtarë që, ndryshe nga realiteti që shohin dhe prekin shqiptarët, na servirin një konkluzion jo objektiv. Ne kemi parë ambasadorë që dilnin në krah të Tahirit, por u dënua. Shpesh vlerësimet që bëhen nuk janë objektive. Prokuroria ka përgjegjësitë e veta kushtetuese. Përgjegjësinë e ka të zbulojë, të hetojë dhe të çojë pas hekurave këdo që kryen vepër penale. Përgjegjësinë për luftën kundër korrupsionit, në çdo vend të BE-së, nuk e ka vetëm prokuroria; e ka edhe Kryeministri, edhe Policia, edhe institucionet e tjera të shtetit. Kur ne shohim në këtë vend që funksionon vetëm drejtësia dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që duhet të luftojnë korrupsionin bëjnë të kundërtën, ky është modeli më i shëmtuar i një funksionari publik. Ky është realiteti shqiptar. Nuk pres që një ndërkombëtar të thotë: kjo që ti thua nuk është e vërtetë. Kështu më thanë edhe për Hysenin. Kam thënë në seancë që është ushtare e Agasit. Von der Leyen do të thoshte, ajo është modeli i shkëlqyer i zyrtares së sigurisë në një vend kandidat për BE. E vërteta shpesh vonon, por del. Ne këtu do të jemi dhe shumë gjëra të tjera do të turpërojnë cilindo që del në krah të Ramës.

Shteti shqiptar nuk funksionon. Nëse do të funksiononte, një kryeministër i përgjegjshëm, kur del një deputet dhe thotë që Vlora Hyseni po i shërben Ergys Agasit, ngre shtetin në këmbë për të thënë nëse kjo akuzë qëndron apo jo. Gënjeshtra nuk e ndihmon vendin. Standardet europiane e bëjnë Shqipërinë europiane;,nuk e bën Gysi Shqipërinë europiane, nuk e bën Balluku Shqipërinë europiane. Si mund të heshtë presidentja e KE-së, kur Rama thotë: Ne nuk e kemi penguar ndonjëherë drejtësinë? A nuk ishte Rama që pengoi arrestimin e Ballukut? Nuk është kjo pengesë ndaj drejtësisë? Si mund të pranosh të të thotë një gënjeshtër në sy dhe ti të ulësh kokën? Tregon se nuk u thua shqiptarëve, por edhe europianëve, të vërtetën.

Ne do të themi gjithmonë të vërtetën. Dëgjohemi nga partnerët apo jo, kjo ka zero rëndësi për mua. Për mua ka rëndësi të mbrojmë interesin e qytetarëve shqiptarë. Këta, e vetmja pikë takimi që i lidh është zyra e Ramës. Ergys Agasi dhe Vlora Hyseni janë njohur me njëri-tjetrin në zyrën e Ramës. Kanë pushtet, njëri si zyrtar dhe tjetri individ, për shkak të Ramës. Kush nuk do ta shohë këtë, të vazhdojë të qëndrojë i vetëm”, tha Bardhi.  

Ora 11:31
Bardhi: Rama të tregojë kush dha referenca për Hysenin! Edhe kreun e ri të SHISH do ta vënë në dispozicion të grupeve kriminale (VIDEO)

 

Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi nga kryeministri Edi Rama të bëjë publik se cili partner ndërkombëtar dha referenca pozitive për Vlora Hysenin përpara emërimit të saj në krye të SHISH. Bardhi pretendoi se informacionet e opozitës flasin për referenca negative. Ai hodhi akuza se kryeministri Edi Rama dhe presidenti Bajram Begaj edhe kreun e ri të SHISH, do ta vendosin në dispozicion të grupeve kriminale. 

“Rama të na shpjegojë cili partner ndërkombëtar ka dhënë referenca të shkëlqyera për Hysenin. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. I kam kërkuar Kryeministrit të tregojë cili partner i ka dhënë referenca pozitive për Vlorën. Informacionet tona flasin për të kundërtën: shërbimet partnere i kanë dhënë referenca negative për këtë detyrë. Nëse referencat e shkëlqyera i ka dhënë shërbimi sekret serb, atëherë kjo e dyfishon skandalin. Nëse referencat i ka dhënë shërbimi sekret rus, kjo e cenon sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Prandaj, transparenca është mekanizmi i duhur për të parandaluar që ngjarje të tilla të përsëriten në të ardhmen.

Rama dhe Begaj, edhe drejtorin e ri të SHISH-it do të përzgjedhin një emër që do ta vënë në shërbim të krimit të organizuar. Nuk ishte akt individual i Hysenit për t’u vënë në shërbim të Agasit. Po të shiheshin komunikimet e Ramës me kreun e grupit të strukturuar kriminal, shastisja kalon në një nivel shumë herë më të lartë. Kuvendi nuk mund të shmanget nga ky debat. Ka përgjegjësi për funksionimin e rregullt të institucioneve, por mbi të gjitha ka përgjegjësi sa i takon sigurisë kombëtare”, tha Bardhi.

Ora 11:15
Arresti ndaj ish-kreut të SHISH/ Bardhi: E paimagjinueshme që Kuvendi t’i shmanget përgjegjësisë për sigurinë kombëtare, mazhoranca bllokoi debatin (VIDEO)

 

Në konferencën e Kryetarëve nuk u ra dakord mes mazhorancës dhe opozitës për një debat për arrestimin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Gazment Bardhi tha se hetimi penal i takon drejtësisë, ndërsa Kuvendi ka përgjegjësinë të ushtrojë kontroll mbi ekzekutivin dhe institucionet, përfshirë SHISH-in. Ai tha se është e paimagjinueshme që mazhoranca bllokon debatin dhe i shmanget përgjegjësisë për sigurinë kombëtare.

“Dënoj bllokimin që mazhoranca i bëri kërkesës për debat. Është e paimagjinueshme që Kuvendi t’i shmanget përgjegjësisë në raport me sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Kjo nuk është çështje e drejtësisë. Çështje e drejtësisë është të çojë pas hekurave dhe para përgjegjësisë ligjore cilindo që ka kryer këtë vepër penale. Kuvendi nuk e ka këtë kompetencë, por ka kompetencën e kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv dhe institucionet, përfshirë edhe SHISH-in. Në kuadër të këtij funksioni, ka përgjegjësinë të diskutojë për një nga aktet më të paprecedenta në një vend demokratik.

S’kemi punë me hetimin e SPAK, veçse t’i lëmë të bëjnë punën e tyre, t’i nxisim ta çojnë punën deri në fund dhe t’i shkojnë këtij problemi në kokë. Koka nuk është Vlora Hyseni. Koka e kësaj afere, e kriminalizimit të institucioneve shtetërore dhe e përdorimit të institucioneve shtetërore si mekanizëm mbrojtës ndaj krimit të organizuar është padyshim Rama.”, tha Bardhi.

Ora 10:07
Arresti i ish-kreut të SHISH, Tabaku: Mbledhja e Këshillit të Sigurisë e njëanshme dhe pa transparencë, Rama të japë llogari në Kuvend

1790161080_joridatabaku.jpg

Deputetja demokrate Jorida Tabaku duke folur në Konferencën e Kryetarëve për kërkesën e PD për mocion me debat për arrestin ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni tha se mbledhja e Këshillit të Sigurisë ishte e njëanshme, pa praninë e opozitës, dhe nuk i ofroi asnjë transparencë nëse është cenuar siguria kombëtare. Edhe ajo thekoi se kërkesa e tyre për debat për Hysenin nuk lidhen me objektin e hetimit nga SPAK, që sipas s’ia po bën punën e vet. Tabaku iu tha socialistëve se kryeministri Edi Rama duhet të vijë në Kuvend dhe të japë llogari për rastin e Hyusenit dhe si u emërua ajo në krye të SHISH, sot e akuzuar se ndihmoi me informacione sekrete Ergys AGasin gjatë arratisë.

“Së pari, më lejoni të them që ju besoj më mirë se të gjithë të tjerët se keni qenë ish-ministër i Mbrojtjes, por edhe kolegë të tjerë, si z. Mediu dhe të tjerë që kanë punuar në fushën e mbrojtjes, e dini rëndësinë që ka kjo çështje. Për ta trajtuar këtë si një çështje kombëtare, jo si një çështje qoftë partiake, qoftë të diskutimeve të njëanshme nga maxhoranca.

Unë së pari dua të ngre shqetësimin që mbledhja e Këshillit të Sigurisë, pa përfaqësues nga opozita, për mua ishte jo vetëm e njëanshme, por ishte njëkohësisht një vendim i cili nuk ofroi transparencë. Sepse, në qoftëse transparenca do të ishte ofruar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar atje disa nga shqetësimet që ka ngritur opozita, do të ishim sigurisht duke diskutuar në një prizëm tjetër.

Fakti që mbledhja e Këshillit të Sigurisë u mblodh nga të njëjtët persona, të cilët do të ishin edhe ulur në tryezë, të cilët kanë pasur në dorë ta parandalojnë, ta kontrollojnë, ta monitorojnë këtë fenomen që nuk ishte i ri për opinionin publik, as për politikën, sepse ne e kemi denoncuar për vite me radhë. Dhe aty ishin po ata që mund ta kishin marrë vendimin dhe nuk e morën.

Për mua, e bën jashtëzakonisht të nevojshëm debatin parlamentar. E dëgjova me shumë interes kolegun parafolës dhe unë nuk e di se në cilën nga pikat që kërkon Prokuroria e Posaçme dhe është duke hetuar Prokuroria e Posaçme, lidhen kërkesat e Partisë Demokratike.

Prokuroria e Posaçme është duke verifikuar, duke kontrolluar, hetuar faktin që shtetasja Vlora Hyseni ka ndihmuar, nëpërmjet furnizimit me të dhëna dhe informacion të klasifikuar, shtetasin Ergys Agasi, i cili është i akuzuar për një sërë veprash penale. Ndërkohë që kërkesat që ne kemi bërë nuk lidhen me objektin e hetimit nga ana e Prokurorisë së Posaçme.

Kryeministri do të duhet të vijë e të japë përgjigje! Fatkeqësisht, ky parlament nuk mund të përdoret për mburojë politike. E përdorët për Belinda Ballukun, tani po e përdorni për Vlora Hysenin. E keni kthyer në normë. Është e papranueshme", tha Tabaku. 

Ora 10:02
PD kërkon debat për arrestin e ish-kreut të SHISH, Bardhi i përgjigjet Ballës: Nuk po pengojmë drejtësinë, SPAK po bën punën e vet

1790594026_gazmentbardhi.jpg

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi i është kundërpërgjigjur Taulant ballës i cili tha se Kuvendi nuk mund të dublikojë rolin e prokurorisë, referuar kërkesës së opozitës për mocion me debat për arrestin e ish-kreut të SHISH. Bardhi tha se SPAK po bën punë e vet dhe se kërkesa për mocion me debat nuk i pengon hetimet e drejtësisë.

"Thoni: do lëmë drejtësinë të hetojë. Po kush po e pengon drejtësinë? Drejtësia e ka punën e vet. Kuvendi ka punën e vet. Jo. Nuk kemi kërkuar ne as të marrim në pyetje prokurorët, as të marrim të dhëna nga dosja hetimore, se është sekret hetimor, as të pengojmë prokurorinë në këtë çështje. Kemi kërkuar të diskutojmë çështje që janë kompetencë e institucionit që ky Kuvend kontrollon.

Gazment Bardhi: Mendoj se parafolësi është i lumtur për këtë çështje. Sepse ka arsye të jetë i lumtur për zhvillimet e fundit dhe arsyet dihen. Por, me sa kuptoj, lumturinë e tij ia prish halli i Edi Ramës dhe bëhet edhe ai i palumtur kot, sepse unë besoj që ka arsye të gëzohet.

Së dyti, mocioni për debat që kërkon opozita nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë po bën prokuroria. Nuk ka asnjë rresht në kërkesën tonë për zhvillimin e mocionit që i referohet hetimeve të prokurorisë. Por ne jetojmë në Shqipëri, ka një akt të Kryeministrit dhe të Presidentit që ka dekretuar shkarkimin e shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror, sepse, sipas informacioneve, aq sa ç’kanë rrjedhur nga hetimet e prokurorisë, rezulton që të ketë ndihmuar një person në kërkim nga drejtësia dhe ta ketë furnizuar atë me informacione të klasifikuara dhe bëhet fjalë për një person, kreun e një grupi të strukturuar kriminal.

Tani nuk bëhet fjalë për një kriminel ordiner. Është absurde të thuash që çdo institucion tjetër ka rol në këtë diskutim, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të shmanget nga ky diskutim. Nuk mund të ndodhë kjo. Ngjarja që ka ndodhur, nuk e di, e kuptoni apo jo, por është një ngjarje që mund të ndodhë njëherë në 100 vite. Si rregull, nuk duhet të ndodhë fare në një shtet normal, por mund të ndodhë një herë në 100 vite që shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror të vihet në dispozicion të kreut të një grupi të strukturuar kriminal. Dhe kjo gjë nuk erdhi në mungesë informacioni. Opozita e ka thënë këtë informacion prej të paktën dy vitesh e gjysmë.

Dhe ju keni bërë një qasje: institucionit, institucionit, institucionit! Cilët institucione? Institucionet që janë përgjegjëse për situatën. Po ç’hyn SPAK-u te kërkesa jonë për mocion me debat? Ne kemi kërkuar mocion me debat. Ç’punë kemi ne me SPAK-un? SPAK-u është duke e bërë punën e vet dhe, po të duam ne ta ndalojmë, nuk e ndalojmë dot! Po të doni ju, domethënë.

Kur kishit në dorë për të penguar, siç ishte rasti i Belinda Ballukut, i zbrazëm të gjithë bateritë tuaja. 82 vota, për të penguar Prokurorinë e Posaçme që të hetonte në mënyrë të pavarur. Ai shefi juaj që na e tha se ju nuk pengoni! E penguam pra në mars, të gjithë ju që jeni këtu, përjashto dy a tre veta nga grupi juaj parlamentar, ngritët dorën për të penguar një kërkesë procedurale të prokurorisë për të arrestuar Belinda Ballukun.

Pra, kur ju e keni në dorë, pengoni. Te Vlora s’keni gjë në dorë. Nuk vjen te Kuvendi ajo, se po të kishit dorë, ishin bërë barrikada tek dera hyrëse e Kuvendit. S’kishit lënë prokurorë që të hynte këtu. E kishit futur Vlorën brenda e kishit mbyllur te zyra e Nikos dhe e kishit marrë në mbrojtje, s’ka asnjë diskutim kjo! Po këtu s’keni gjë në dorë. Fatmirësisht.

Thoni: do lëmë drejtësinë të hetojë. Po kush po e pengon drejtësinë? Drejtësia e ka punën e vet. Kuvendi ka punën e vet. Jo. Nuk kemi kërkuar ne as të marrim në pyetje prokurorët, as të marrim të dhëna nga dosja hetimore, se është sekret hetimor, as të pengojmë prokurorinë në këtë çështje. Kemi kërkuar të diskutojmë çështje që janë kompetencë e institucionit që ky Kuvend kontrollon.

A ka përgjegjësi Kryeministri në këtë rast? Po pse vetëm prokuroria e ka për detyrë të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar? Po e gjithë pjesa tjetër e sistemit, SHISH, Policia, Ministria e Brendshme, a kanë për detyrë ta luftojnë korrupsionin edhe krimin e organizuar? E ka përgjegjësi Kryeministri për të luftuar edhe korrupsionin edhe krimin e organizuar. Ka përgjegjësi ekzekutive për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Dhe kur të vjen parlamenti, opozita dhe të thotë: shefin e shërbimit që, në ditën e emërimit, shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror, ta ka emëruar një eksponent që rri nga mëngjesi deri në darkë në krimin e organizuar dhe ka të dhëna të besuara që shefja e shërbimit është vënë në shërbim të grupeve kriminale. Çfarë bëtë ju?

Vlorën e ka emëruar Edi Rama. Duhet të vijë të japë llogari Edi Rama. Dhe Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të lejohet të ushtrojë funksionet e veta.

Ju nuk njihni sigurinë kombëtare. Ju njihni sigurinë e Gysit. Ne themi: hajde e flasim për sigurinë kombëtare. Ju thoni jo! Sigurinë kombëtare ia kemi besuar Gysit. Nxirrni Gysin nga burgu dhe mërojeni nënkryetar, dhe e plotësoni këtë gjë. I jepni zgjidhje!

Kryeministër, të vijë dhe të ma thotë cili shërbim i huaj ia kërkoi Vlora Hysenin në krye të SHISH-it. Sepse mund të jetë edhe shërbimi informativ serb. Prandaj do të duhet të vijë ta thotë këtu cili shërbim", tha Bardhi.

Ora 09:54
PD kërkon debat për arrestin e ish-kreut të SHISH, Balla: SPAK të hetojë deri në fund, Kuvendi nuk mund të dublikojë prokurorinë

1790768819_taulantballa.jpg

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ku po diskutiohet kërkesa e PD për mocion me debat për arrestin ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, krue i grupit të PS, Taulant Balla përsëriti edhe njëherë qëndrimin e mazhorancës se përgjegjësia e saj penale është individuale. Ai theksoi se çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund dhe SPAK të bëjë punën pa ndërhyrje. Lidhur më kërkesën e PD për debat, Balla tha se Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale.

Balla: Qëndrimi ynë, lidhur me hetimet mbi ish-drejtoren e Shërbimit Informativ ne presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK, të cilët duhen lënë të bëjnë punën e tyre pa asnjë ndërhyrje apo mbivendosje, përmes procesit të pavarur të hetimit dhe të gjykimit. Rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik. Sipas jurisprudencës së konsoliduar tanimë të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale.

Falë kësaj shumice qeverisëse, me kurajo e me vendosmëri i është hapur rruga drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.  As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.

Jo më larg se dje Ursula von der Leyen konfirmoi “Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit”. Prandaj ta lemë sistemin të bëjë punën e vet. Asnjë instrument kontrolli parlamentar, nga mocioni me debat deri tek komisioni hetimor parlamentar, nuk mund ta zëvendësojë, ta ndikojë, ta kushtëzojë apo pengojë hetimin e plotë dhe të pavarur nga prokurorët e SPAK. Dua të ripërsëris këtu se çdo sulm personal ndaj prokurorëve të SPAK, të cilët meritojnë respekt për punën e tyre, duhet të ndalet. Rituali i turpit në dy të hëna të muajit nga një i pandehur para dyerve të SPAK, duhet të ndalet. Forca politike, brenda së cilës militon ky person, duhet ta bëjë debatin e parë brenda vetes për këtë çështje.

Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye. Qëndrimi ynë mbetet ai që kemi thënë ditën e parë të Reformës në Drejtësi: Pafajësia ose fajësia e një zyrtari, edhe pse i propozuar, mbështetur apo votuar prej nesh, i vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.

Shkarkimi i menjëhershëm nga detyra i drejtores së shërbimit ishte pikërisht shembulli i kësaj qasje nga ana jonë. Ndërkohë që të gjitha institucionet që ngarkon ligji:

Kryeministri → varësia institucionale

Komisioni i Kuvendit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes → mbikëqyrja parlamentare

Presidenti → raportim + kompetenca mbi drejtimin

Inspektori i Përgjithshëm → inspektim i veprimtarisë

KLSH/Auditimi → kontroll financiar

Prokuroria/Gjykata → kontroll ligjor/judicial në fushat përkatëse

Kjo është një çështje që unë i duhet lënë prokurorisë dhe gjykatës, jo leximit sporadik të materialeve hetimore që nxirren për të bërë çorap opinionin publik. Procesi do të tregojë nëse ka apo jo gjëra që kanë cenuar çfarëdoqoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo në lidhje me partnerët tanë.