‘Trokitja’ e ditës së parë të tetorit shënon një mesazh të rëndësishëm që shtrihet përgjatë gjithë muajit: ndërgjegjësim për kancerin e gjirit. 

Me nisjen tashmë të Tetorit Rozë, gratë dhe vajzat kanë një kujtesë të përditshme të mos lënë pas dore kontrollet e nevojshme mjekësore që i shërbejnë zbulimit të hershëm dhe trajtimit. Identifikimi i sëmundjes në kohë përmirëson prognozën e shërimit prej saj.

Edhe pse vetëm 5–10% e rasteve të kancerit të gjirit janë të trashëguara, historia familjare e kancerit të gjirit duhet t’i nxisë gratë të ndërmarrin hapa proaktivë për të ulur rrezikun e zhvillimit të kësaj sëmundjeje.

Faktorët kryesorë të rrezikut përfshijnë moshën e avancuar, obezitetin, aktivitetin e kufizuar fizik, konsumimin e alkoolit dhe përdorimin e disa trajtimeve hormonale pas menopauzës.

Është shumë e rëndësishme që gratë e të gjitha moshave të jenë të vetëdijshme për ndryshimet në gjoks përmes vetëkontrollit të rregullt të gjirit dhe ekografive, duke nisur që nga mosha 20 vjeç. Gratë mbi 50 vjeç duhet të marrin në konsideratë kryerjen e rregullt të mamografisë në qendrat që ofrojnë shërbime depistuese.

Kanceri i gjirit është lloji më i zakonshëm i kancerit te gratë dhe diagnostikimi i hershëm i sëmundjes rrit ndjeshëm mundësitë për shërim. Edhe burrat mund të preken nga kanceri i gjirit, megjithëse kjo ndodh më rrallë.

Ndërgjegjësimi dhe parandalimi i kancerit të gjirit janë të një rëndësie të madhe për të gjithë ne. Fjongoja rozë, simbol i shpresës, forcës dhe solidaritetit, na kujton historinë e çdo beteje të grave që kanë fituar mbi sëmundjen, ato që ende luftojnë dhe kujtimin e atyre që nuk janë më mes nesh.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:55
Nis muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Spahiu: Synojmë të arrijmë në 50 mijë gra të depistuara deri në fund të 2030-ës

Në nisje të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu bëri thirrje për kontrolle dhe diagnostikim të hershëm. Në vitin 2025 pati 829 raste të reja, ky 77.1% e tyre i përkisnin grupmoshës mbi 50 vjeç. Deri në vitin 2030 synohet depistimi i 50 mijë grave.

“Kontrolli është dashuri për veten. Kanceri i gjirit, kur zbulohet në fazat e hershme, ka mundësi shumë më të mëdha për trajtim të suksesshëm. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha grave të mos e shtyjnë kontrollin. Një kontroll mund të duket si një hap i vogël, por mund të bëjë një ndryshim të madh. Ky angazhim nuk është vetëm për muajin tetor. Në zbatim të Planit Kombëtar të Kontrollit të Kancereve, synojmë që deri në fund të vitit 2030 të arrijmë 50 mijë gra të depistuara, duke zgjeruar aksesin dhe duke forcuar hap pas hapi parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm”, tha Spahiu.

Ora 09:51
‘Tetori Rozë’, ISHP mesazh ndërgjegjësimi: Kontrolli është dashuri për veten! Zbuloje herët, vepro në kohë!

1790841129_tetoriroze.jpg

Me hyrjen e tetorit, Instituti i Shëndetit Publik ka sjellë në vëmendje ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, parandalimin dhe kontrollet e nevojshme mjekësore. Mesazhi i këtij viti është: “Kontrolli është dashuri për veten. Zbuloje herët, vepro në kohë!”

Postimi i plotë:

Nis Tetori Rozë – muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit!

Këtë vit, mesazhi ynë është: “Kontrolli është dashuri për veten. Zbuloje herët, vepro në kohë!”

Tetori Rozë na kujton rëndësinë e kujdesit për shëndetin e gjirit, kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm.

Kushtojini vëmendje shëndetit tuaj, mos i neglizhoni kontrollet dhe inkurajoni gratë që keni pranë të kujdesen për veten.

Kontrolli është një akt dashurie për veten dhe një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së shëndetit!