
Një revoltë shpërtheu mbrëmjen e së mërkurës në burgun Don Bosco në Pisa, pasi disa të burgosur zbuluan pajisje përgjimi në qelitë e tyre. Rreth 40 të burgosur morën kontrollin e një reparti dhe kërkuan të takonin drejtuesit e burgut. Situata u rikthye nën kontroll pas disa orësh negociata dhe ndërhyrjes së policisë. Disa prej personave të dyshuar si organizatorë u transferuan në burgje të tjera në Toskanë.
Revolta nisi rreth orës 19:00, pasi një i burgosur zhvilloi një transmetim live në TikTok nga brenda burgut, duke përdorur një telefon celular në mënyrë të paligjshme. Transmetimi u ndoq nga rreth 15 mijë persona përpara se të ndërpritej. Në video, disa të burgosur folën në italisht dhe shqip. Ata pretenduan se ishin dhunuar nga efektivët dhe kundërshtuan vendosjen e pajisjeve të përgjimit në qeli. Mes shqetësimeve të ngritura ishin edhe mbipopullimi dhe kushtet higjieno-sanitare.Gjatë revoltës pati përplasje me policinë, ndërsa në burg mbërritën edhe ambulanca..
Jashtë burgut u mblodhën dhjetëra familjarë dhe miq të të burgosurve. Pas negociatave, rreth 50 persona u larguan nga zona që kishin marrë nën kontroll, ndërsa një grup prej rreth 30 të burgosurish vijoi protestën duke kërkuar një ndërmjetës. Gjatë natës, revolta përfundoi dhe situata në burg u rikthye nën kontroll.