Takimi i Ramës me Von der Leyen/ Protestuesit përplasen me policinë, ndalohen ti përcjellin presidentes mesazhet e protest&e...
Aktualitet
Trazira në burgun e Pizës në Itali/ Gjetën përgjues në qeli, 40 të burgosur shqiptarë e italianë përleshen me policinë, rasti transmetohet live në TikTok
Gjatë videos disa të burgosur, duke folur në italisht dhe shqip, pretenduan se ishin keqtrajtuar nga punonjësit e burgut dhe kundërshtuan përdorimin e përgjimeve në qelitë e tyre.
1 Tetor 2026, 08:44Nga E.d
Foto ilustruse
ITALI- Një protestë e dhunshme shpërtheu të mërkurën në mbrëmje në burgun “Don Bosco” në Pizë në Itali, pasi disa të burgosur zbuluan pajisje përgjimi në qelitë e tyre. Kjo shkaktoi revoltën e dhjetëra të burgosurve, mes tyre edhe shqiptarë. Rreth 40 të burgosur morën kontrollin e një reparti të burgut dhe u barrikaduan brenda, duke kërkuar të takoheshin me komandantin e policisë së burgut dhe drejtorin e institucionit.
Situata u tensionua gjatë mbrëmjes, ndërsa në burg mbërritën forca të shumta policie ku pas disa orësh negociata dhe ndërhyrjeje autoritetet arritën të rivendosnin kontrollin. Disa prej të burgosurve të konsideruar si nxitës të protestës, u transferuan në institucione të tjera në Toskanë.
Mediat italiane shkruajnë se gjithçka nisi rreth orës 19:00, kur një i burgosur përdori një celular, pavarësisht ndalimit, për të transmetuar drejtpërdrejt nga brenda burgut. Transmetimi tërhoqi rreth 15 mijë shikues përpara se të ndërpritej. Gjatë videos disa të burgosur, duke folur në italisht dhe shqip, pretenduan se ishin keqtrajtuar nga punonjësit e burgut dhe kundërshtuan përdorimin e përgjimeve në qelitë e tyre. Në pamjet dëgjohet që flitet edhe shqip. Personi që filmon dëgjohet të thotë “duhen gazetare aty, do t’i masakrojnë keq çunat”, ndërsa njëri prej tyre dëgjohet të shajë në shqip: Të q*fsha motrën.
Përveç çështjes së përgjimeve, të burgosurit ngritën edhe shqetësime për mbipopullimin dhe kushtet higjienike të burgut. Gjatë protestës pati tensione dhe përleshje mes disa të burgosurve dhe efektivëve të burgut. Disa ambulanca u dërguan brenda institucionit për të ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa në përpjekje për të rikthyer qetësinë mund të jetë përdorur edhe gaz lotsjellës.
Pamjet e publikuara nga protesta tregojnë efektivë të pajisur me mburoja dhe pajisje kundër trazirave, të pozicionuar në shkallët e burgut përballë të burgosurve. Ndërkohë, familjarë dhe miq të të burgosurve u mblodhën jashtë burgut gjatë orëve të tensionit. Autoritetet italiane vijojnë të hetojnë rrethanat e protestës dhe incidentet e ndodhura brenda burgut./Dosja.al