Aktori dhe regjisori amerikan Chad Lowe bashkë me bashkëshorten e tij, producenten Kim Painter, po kalojnë një moment jashtëzakonisht të dhimbshëm pas ndarjes nga jeta të vajzës së tyre, Fiona Hepler Lowe, e cila ishte vetëm 13 vjeçe.
Të lidhura
None found
Përmes një komunikate zyrtare të familjes, publikuar nga revista PEOPLE më 29 shtator, çifti shprehu dhimbjen e thellë: “Jemi thellësisht të pikëlluar për humbjen e Fiona-s sonë të dashur”.
Në deklaratë, Fiona përshkruhet si një fëmijë i dashur, inteligjent dhe me shpirt krijues, e cila kishte pasion të veçantë për kërcimin. Familja theksoi gjithashtu se ajo ishte tejet e dashur nga motrat dhe prindërit e saj.
“Ajo ishte, pa dyshim, drita e jetës sonë”, thuhet më tej në njoftim.
Familja e konsideroi këtë humbje si shkatërruese dhe u bëri thirrje të gjithëve për lutje dhe respektim të privatësisë në këtë periudhë kaq të vështirë për ta.
Fiona kishte lindur më 16 nëntor 2012 dhe ishte fëmija i dytë nga tre vajzat e Chad Lowe dhe Kim Painter. Motrat e saj, Mabel 17 vjeçe dhe Nixie Barbara 10 vjeçe, mbeten pjesë e ngushtë e familjes.
Një vit më parë, me rastin e ditëlindjes së 13-të të Fiona-s, Chad Lowe kishte publikuar në platformat sociale një foto të së bijës, shoqëruar me një mesazh prekës: “Vazhdo të kërcesh nëpër jetë, FiBear! Të dua shumë!”
Kjo tragjedi vjen pas një periudhe tjetër të vështirë për familjen. Në fillim të vitit 2025, shtëpia e tyre në Pacific Palisades u shkatërrua tërësisht nga zjarret e mëdha që përfshinë zonën e Los Angelesit. Pak javë pas ngjarjes, Chad Lowe kishte treguar se i kishte çuar vajzat për të parë mbetjet e shtëpisë ku ato ishin rritur.
Në atë kohë, aktori kishte shkruar se mënyra se si vajzat e tij e përballuan atë përvojë “të dhimbshme” e kishte bërë krenar dhe se të qenit baba ishte “gëzimi dhe privilegji më i madh i jetës së tij”.
