Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në mediat ndërkombëtare të turizmit. Revista spanjolle “¡HOLA!” i ka kushtuar një artikull të gjerë vendit, duke e përshkruar si një destinacion që ndërthur historinë, qytetet tradicionale, natyrën dhe plazhet e Rivierës Shqiptare.
Në artikull përmenden Tirana, Kruja, Durrësi, Berati, Gjirokastra, Syri i Kaltër, Saranda, Ksamili dhe Butrinti si disa prej pikave që nuk duhen humbur nga turistët.
Revista veçon arkitekturën osmane dhe qytetet prej guri, trashëgiminë e UNESCO-s, peizazhet e Jonit dhe Adriatikut, si dhe kuzhinën tradicionale shqiptare.
Tirana përshkruhet si një kryeqytet në transformim, ndërsa Kruja vlerësohet për Pazarin e Vjetër Osman dhe kalanë. Për Beratin dhe Gjirokastrën, artikulli veçon arkitekturën historike dhe statusin e tyre si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Vëmendje të veçantë merr edhe Riviera Shqiptare, me Sarandën dhe Ksamilin, të cilat revista i përshkruan për ujërat e kristalta dhe peizazhet mesdhetare. Ndërkohë, Butrinti paraqitet si një kombinim i rrallë mes rrënojave antike dhe natyrës.
Artikulli i “¡HOLA!” ndalet edhe te gastronomia shqiptare, duke përmendur pjata si fërgesa e Tiranës, tava e kosit, qifqitë dhe gatimet me peshk e fruta deti.
Sipas revistës, Shqipëria ofron një kombinim të historisë, kulturës, natyrës dhe detit, duke u kthyer në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar për turistët që duan të zbulojnë vende të reja në Evropë.

