Dështon ekzekutimi në Tenesi, zemra e Krista Pike vazhdonte të rrihte pas dy dozave të injeksionit vdekjeprurës E dënuara me vdekje, Christa Pike, është dërguar në spital pasi i mbijetoi një përpjekjeje për ekzekutim me injeksion vdekjeprurës në Tennessee.
50-vjeçarja humbi ndjenjat gjatë ekzekutimit, por sipas avokatit të saj, kishte ende rrahje zemre dhe dëgjohej duke marrë frymë me zhurmë. Ajo kishte marrë dy doza pentobarbital gjatë procedurës në institucionin e sigurisë së lartë Riverbend në Nashville.
Avokatët e Pike paraqitën një kërkesë urgjente për pezullimin e ekzekutimit ndërsa procedura ishte duke u zhvilluar. Ata kishin paralajmëruar më herët për vështirësi në gjetjen e venave, dëmtime të venave dhe probleme me substancën e përdorur për injeksionin.
Gjykata Supreme e SHBA-së e kishte rrëzuar më herët kërkesën për ndalimin e ekzekutimit, ndërsa guvernatori i Tennessee, Bill Lee, kishte refuzuar kërkesën e Pike për mëshirë.
Pas dështimit të procedurës, gjykatësi federal Clifton L. Corker urdhëroi që personelit mjekësor t’i jepej mundësia të ofronte kujdesin e nevojshëm. Departamenti i Korrigjimeve të Tennessee konfirmoi më pas se Pike ishte transportuar në një institucion mjekësor jashtë burgut.
Departamenti mohoi se protokolli shtetëror ishte zbatuar në mënyrë të gabuar. Zëdhënësja Dorinda Carter deklaroi se autoritetet kishin ndjekur të gjitha hapat e përcaktuar në protokollin zyrtar të ekzekutimeve.
Guvernatori Bill Lee njoftoi se kishte urdhëruar një hetim të plotë dhe të pavarur për të përcaktuar se çfarë ndodhi gjatë ekzekutimit. Sipas tij, të gjitha ekzekutimet e planifikuara në Tennessee janë anuluar dhe nuk pritet të zhvillohet asnjë tjetër gjatë pjesës së mbetur të vitit.
Për çfarë u dënua Pike?
Christa Pike u dënua me vdekje për vrasjen e Colleen Slemmer, 19 vjeçe, në Knoxville më 12 janar 1995. Pike ishte 18 vjeçe në kohën e krimit.
Sipas prokurorisë, Pike dhe i dashuri i saj i atëhershëm, Tadaryl Shipp, e çuan Slemmer në një zonë të pyllëzuar, ku ajo u sulmua dhe u vra. Shipp, i cili ishte 17 vjeç në atë kohë, u dënua me burgim të përjetshëm me mundësi lirimi me kusht.
Pike nuk e ka mohuar vrasjen, por ka deklaruar ndër vite se në kohën e krimit ishte një 18-vjeçare me probleme të shëndetit mendor.
Nëse ekzekutimi do të ishte kryer, Pike do të bëhej gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee pas më shumë se 200 vitesh.
Top Channel