VIDEO/ Moti i keq përfshin Kretën, përmbytje dhe dëme të shumta
Moti i keq ka përfshirë Kretën, ku reshjet e dendura dhe stuhitë kanë shkaktuar përmbytje, dëme në infrastrukturë dhe probleme me energjinë elektrike. Autoritetet greke kanë paralajmëruar se situate do të vijojë deri të dielën në mëngjes.
Situata paraqitet veçanërisht e vështirë në zonën e Mylopotamos, në Rethymno, ku reshjet e dendura kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Një urë është shembur, ndërsa një automjet me dy persona të moshuar mbeti i bllokuar në vendin ku u shemb rruga.
Çifti u dërgua në spital për kontrolle mjekësore dhe, sipas informacioneve të para, nuk raportohet të jetë në rrezik për jetën.
Reshjet kanë shkaktuar gjithashtu përmbytje në disa zona. Në Zonianë, Anogia, Axos dhe Livadia raportohet për ndërprerje të energjisë elektrike.
Në Zonianë janë dëmtuar edhe shtyllat e rrjetit elektrik, ndërsa ekipet e shërbimit janë angazhuar për riparimin e dëmeve.
Kryetari i bashkisë së Mylopotamos, Giorgos Klados, e ka përshkruar situatën si shumë të vështirë dhe ka bërë thirrje për kujdes të shtuar.
Moti i keq ka sjellë probleme edhe në transportin detar. Erërat e forta kanë detyruar autoritetet të kufizojnë disa lundrime.
Itineraret e anijeve nga portet e Rafinës dhe Lavrios janë pezulluar, ndërsa në portin e Pireut janë bërë ndryshime në disa linja. Edhe lundrimet drejt ishujve të Gjirit Saronik janë prekur nga moti i keq.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe udhëtarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura dhe të kontaktojnë autoritetet portuale përpara udhëtimit, për shkak të ndryshimeve të mundshme në itinerare.




