Cristiano Ronaldo është larguar nga grumbullimi i kombëtares së Portugalisë, ndërsa gazetari Edu Aguirre, i konsideruar mik i afërt i yllit portugez, ka dhënë versionin e tij mbi arsyen e këtij vendimi.
Të lidhura
None found
Sipas Aguirres, përplasja ka nisur gjatë një ndeshjeje, kur trajneri Jorge Jesus e dërgoi Ronaldon të ngrohej për afro 30 minuta, por më pas nuk e aktivizoi.
“Në një takim privat mes Cristian Santos, presidentit të Federatës Portugeze të Futbollit dhe Jorge Jesusit, trajneri i kërkoi falje Cristianon që e kishte mbajtur në nxehje për 30 minuta pa e futur në lojë”, deklaroi Aguirre.
Gazetari tha se Jesus i kishte premtuar Ronaldos se do të kërkonte falje edhe publikisht, duke pranuar se kishte gabuar.
“Ai i premtoi Cristianon se do të kërkonte falje në konferencën për shtyp, do të pranonte gabimin dhe do të jepte shpjegimet e nevojshme. Megjithatë, Jorge nuk e mbajti fjalën”, shtoi Aguirre.
Sipas mikut të Ronaldos, deklaratat publike të përzgjedhësit portugez shkuan në drejtim të kundërt me premtimin e bërë, duke shkaktuar zemërimin e kapitenit.
“Cristiano mendoi se Jorge kishte thënë gjëra të pavërteta dhe po përpiqej të krijonte përshtypjen se ai e kishte situatën nën kontroll, ndërsa Cristiano ishte ‘vetëm një lojtar tjetër’”, u shpreh Aguirre.
Ai pretendon se kjo sjellje e trajnerit e bëri Ronaldon të ndihej i tradhtuar.
“Kjo e zemëroi Cristianon. Ai ndihet i tradhtuar, sepse Jorge i kërkoi falje në privat, i premtoi se do ta bënte të njëjtën gjë edhe publikisht, por më pas veproi ndryshe”, vijoi gazetari.
Aguirre beson se pikërisht kjo ngjarje ndikoi në vendimin e Ronaldos për t’u larguar nga grumbullimi i Portugalisë.
“Për këtë arsye Cristiano vendosi të largohej dhe tha: po shkoj në shtëpi. Për të, kjo përbën një tradhti”, përfundoi Aguirre.
