Trump përjashton aleatët kryesorë nga takimi i NATO-s muajin e ardhshëm në Poloni, përçarje në Aleancë Ekzekutimi i Krista Gale Pike, 50 vjeç, në Tenesi dështoi të përfundonte të mërkurën në mbrëmje, pasi zemra e saj vazhdoi të rrihte edhe pas administrimit të dy dozave të pentobarbitalit. Pike është dërguar më pas në një strukturë mjekësore, konfirmoi avokati i saj për BBC.
Pike, e dënuar me vdekje për vrasjen e 19-vjeçares Colleen Schlemmer, u bë gruaja e parë në Tenesi që përballet me një ekzekutim të papërfunduar me injeksion vdekjeprurës.
Ekzekutimi nisi rreth orës 20:00, sipas kohës lokale, në Qendrën Korrektuese Riverbend në Nashville. Sipas Associated Press, Pike mori dy doza pentobarbital, ndërsa gjatë procedurës perdet që ndanin dhomën e ekzekutimit nga ajo e dëshmitarëve u mbyllën dy herë.
Gazetarët që ndiqnin procedurën raportuan se 50-vjeçarja dëgjohej duke gërhitur me zë të lartë. Në një moment, atyre iu kërkua të largoheshin nga dhoma.
Avokatët e Pike paraqitën një kërkesë urgjente për pezullimin e ekzekutimit dhe kërkuan që asaj t’i jepej menjëherë kujdes mjekësor. Në kërkesën e tyre ata deklaruan se Pike kishte humbur ndjenjat, por zemra e saj vazhdonte të rrihte dhe ajo mund të dëgjohej duke gërhitur.
Gjykatësi federal Clifton Corker urdhëroi që personeli mjekësor të niste kujdesin e kërkuar, ndërsa Pike u transferua më vonë në një strukturë ambulatore.
Avokatët e saj akuzuan autoritetet e Tenesit se kishin dështuar të kryenin një ekzekutim të ligjshëm. Ata ngritën shqetësime për problemet me aksesin në vena, dëmtimin e mundshëm të venave gjatë procedurës, degradimin e pentobarbitalit dhe mungesën e kujdesit të përshtatshëm mjekësor në rast komplikacionesh.
Departamenti i Korrektimeve i Tenesit mbrojti procedurën, duke deklaruar se ishte ndjekur çdo hap i protokollit shtetëror për ekzekutimet. Zëdhënësja Dorinda Carter tha se substanca e përdorur në injeksionin vdekjeprurës ishte provuar vazhdimisht si efektive.
Pas incidentit, guvernatori i Tenesit, Bill Lee, njoftoi pezullimin e të gjitha ekzekutimeve të planifikuara për pjesën e mbetur të vitit dhe kërkoi një hetim të plotë për të përcaktuar se çfarë shkoi keq.
Ndërkohë, mjeku Joel Zivot, profesor në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Emory dhe ekspert i angazhuar nga ekipi ligjor i Pike, tha për BBC se ishte e mundur që 50-vjeçarja të mos kishte arritur përqendrimin e nevojshëm të pentobarbitalit në gjak për të shkaktuar ndalimin e frymëmarrjes dhe kolapsin kardiovaskular. Ai paralajmëroi gjithashtu për mundësinë e dëmtimit të trurit si pasojë e vonesës në nisjen e ringjalljes.
Ekzekutimi u zhvillua pasi Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi një pezullim të përkohshëm të vendosur më herët nga një gjykatë më e ulët. Ishte hera e dytë brenda dy ditësh që gjyqtarët e Gjykatës Supreme lejuan vazhdimin e ekzekutimit.
Pike u dënua me vdekje në vitin 1996 për vrasjen e 19-vjeçares Colleen Schlemmer, krim të cilin e kreu në janar të vitit 1995, kur ishte 18 vjeç.
Sipas dëshmive në gjyq, Pike, i dashuri i saj 17-vjeçar në atë kohë dhe një mik e joshën Schlemmer, studente e Job Corps, në një zonë të pyllëzuar, ku e torturuan dhe e vranë. Pike dhe i dashuri i saj rrëfyen krimin, ndërsa një tjetër e pandehur dëshmoi për prokurorinë.
Mbrojtja e Pike kishte argumentuar se juria që e dënoi me vdekje nuk kishte vlerësuar në mënyrë të përshtatshme historinë e saj të abuzimit seksual në fëmijëri. Avokatët e saj kërkuan që dënimi me vdekje të zëvendësohej me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.
Guvernatori Lee e kishte refuzuar këtë kërkesë për mëshirë. Pike ishte e vetmja grua në radhën e të dënuarve me vdekje në Tenesi.
Top Channel