Disa muaj pasi Prokuroria e Tiranës çoi për gjykim disa prej të pandehurve të dosjes së Onkologjikut, edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kaluar për gjykim dosjen me të pandehur: mjekun Edmond Gashi, kordinatorin e spitalit Emiljano Lela dhe Mustafa Xhepën.
Gashi dhe kolegët e tij dyshohet se kanë orientuar pacientët me kancer drejt klinikave private pa u dhënë trajtimin që duhej t’ua garantonte shteti falas. Nga ana tjetër Mustafa Xhepa është marrë i pandehur për korrupsionin e mjekëve.
Lela përfitonte përqindje monetare kur i përzgjidhte pacientët nga radha e pritjes dhe i orientonte tek mjekët për t'i çuar më pas nëpër klinikat private.
"Emiljano Lela ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procesin e administrimit dhe orientimit të pacientëve tek klinikat private për të marrë kurën e trajtimit në luftën kundër sëmundjeve tumorale, në një kohë kur sigurohej nga shteti. Ai përzgjidhte pacientë nga radha e pritjes dhe i orientonte jo tek mjeku që kishin të rekomanduar sipas procedurave, por tek klinikat private, duke përfituar përqindje monetare”- thuhet në dosjen hetimore.
Përfitime nga kjo skemë ishte dhe mjeku Halil Gashi, i cili kishte një klinikë private, ndërsa djali i tij Edmondi, ishte mjek në Onkologjik. Ky i fundit është i vetmi që po hetohet nga SPAK, nën dyshimet për korrupsion. Sipas Prokurorisë së Tiranës, në klinikën e Halil Gashit, nuk lëshoheshin fatura tatimore, ndërkohë që mjekë të tjetër punonin aty të paregjistruar, duke përfituar edhe përmes fshehjes së të ardhurave.
Pacientët e diagnostikuar me tumor shkonin në spitalin shtetëror të Onkologjikut në QSUT, për të marrë shërbimin shëndetësor publik, orientoheshin që shërbimet t'i merrnin në klinikën mjekësore “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi, që është në zonën e Astirit në Tiranë. Gashi u lirua në nëntor të vitit 2024, pak muaj pas arrestimit në këmbim të garancisë prej 20 milionë lekësh të vjetra. Menjëherë pas lirimit ai njoftoi rihapjen e klinikës private duke vijuar punën sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Versus.al

