Një projektligj që ndryshon ligjin “Për Bankën e Shqipërisë” është depozituar në Kuvend nga deputetja Milva Ekonomi, paralelisht me ligjin e ri që është në procesin e konsultimit publik.
Nisma ndërhyn në disa prej rregullave që përcaktojnë marrëdhënien mes bankës qendrore, qeverisë dhe sektorit publik, me synimin për të forcuar pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe për të përafruar legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian. Një nga ndryshimet kryesore lidhet me financimin monetar të sektorit publik.
Sipas projektligjit, Banka e Shqipërisë nuk mund t’i japë qeverisë, institucioneve shtetërore qendrore dhe vendore apo subjekteve të tjera publike kredi, overdraft apo forma të tjera financimi.
Në të njëjtën kohë, kufizohet edhe blerja e drejtpërdrejtë e instrumenteve të borxhit të emetuara nga këto institucione. Projektligji parashikon megjithatë një përjashtim të kufizuar për titujt e qeverisë.
Banka e Shqipërisë mund të blejë tituj në tregun primar kur kjo lidhet me administrimin e bilancit të saj dhe me riinvestimin e fondeve që krijohen nga maturimi i titujve ekzistues.
Në këtë rast, blerjet duhet të realizohen sipas kushteve të përcaktuara në ligj dhe me çmim tregu. Ndryshime propozohen edhe për drejtimin e Bankës së Shqipërisë.
Nisma përcakton më qartë kushtet për shkarkimin para përfundimit të mandatit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe parashikon përafrimin e këtyre rregullave me standardet e Sistemit Europian të Bankave Qendrore. Një pjesë e dispozitave do të hyjë në zbatim vetëm pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, ndryshimet synojnë forcimin e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, disiplinimin e marrëdhënieve financiare me sektorin publik dhe përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit europian.
Lini një Përgjigje