Shoqata e Prokurorëve kundër ndryshimeve në Kodin Penal: Dobësojnë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsioni
Shoqata e Prokurorëve ka shpreëhur shqetësim për ndryshimet në Kodin Penal, të prezantuara një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama.
Ndryshimet prekin kontrollin e telefonave dhe përgjimet. Policia dhe prokuroria mund të sekuestrojnë një pajisje, por hapja, kopjimi ose përpunimi i përmbajtjes së saj do të kërkojë autorizim paraprak të gjykatës.
Por për Shoqatën e Prokurorëve, këto ndryshime dobësojnë luftën ndaj krimit të prganizuar dhe korrupsioni si dhe rrezikojnë kompetencat hetimore.
Reagimi i plotë i Shoqatës së Prourorëve:
Drejtësia penale kërkon garanci të forta për të drejtat e njeriut dhe hetime efektive në mbrojtje të viktimave të veprës penale dhe interesit publik. Ruajtja e këtij ekuilibri duhet të jetë në themel të çdo ndërhyrjeje në Kodin e Procedurës Penale.
Shoqata e Prokurorëve shpreh shqetësimin për ndryshimet e propozuara, të cilat rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat hetimore, të kufizojnë mjetet e kërkimit të provës dhe të dobësojnë efektivitetin e ndjekjes penale, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Prokurori, si magjistrat i pavarur, ka përgjegjësinë të zhvillojë hetime të plota e të gjithanshme, duke mbledhur prova si për fajësinë, ashtu edhe për pafajësinë e personit. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie kërkon mjete efektive hetimore, të shoqëruara me kontroll gjyqësor dhe garanci për të drejtat e çdo individi.
Ndryshimet që prekin themelet e procedimit penal kërkojnë analiza të thelluara të praktikës dhe vlerësim të plotë të ndikimit të tyre. Ndërthurja mekanike e zgjidhjeve nga modele të ndryshme procedurale, pa respektuar arkitekturën institucionale të sistemit shqiptar, rrezikon të krijojë paqartësi dhe një sistem atipik. Çdo ndryshim duhet të avancojë standardet e Reformës në Drejtësi, duke ruajtur rolin drejtues të prokurorit në hetim dhe kontrollin gjyqësor si garanci plotësuese të ligjshmërisë dhe të të drejtave.
Zbulimi i të gjitha provave që në fazat e hershme të procedimit, kufizimi i masave të sigurimit personal dhe pengesat për zgjerimin e hetimit drejt fakteve të reja të lidhura rrezikojnë ruajtjen e provave, sekretin hetimor dhe efektivitetin e hetimeve, veçanërisht për çështjet qe lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Gjithashtu, pavlefshmëria e akteve dhe papërdorshmëria e provave duhet të lidhen me rëndësinë e shkeljes dhe ndikimin e saj mbi provën ose të drejtat e mbrojtjes, pa u kthyer në pasoja automatike që rrezikojnë të gjithë çështjen penale.
Shoqata e Prokurorëve kërkon një proces konsultimi real, gjithëpërfshirës e me kohën e nevojshme për debat profesional, si dhe mbetet e angazhuar për të vijuar me një analizë më të thelluar të projektligjit.




