Prokurorët kundërshtojnë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale: Rrezikojnë hetimet dhe luftën ndaj korrupsionit

1 Tetor 2026 | 10:16

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka dalë kundër një pjese të ndryshimeve të propozuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale, duke paralajmëruar se disa prej ndërhyrjeve mund të dëmtojnë efektivitetin e hetimeve.

Në një qëndrim zyrtar, prokurorët shprehen se e mbështesin në parim reformimin e legjislacionit dhe përafrimin e tij me standardet europiane, por kërkojnë që ndryshimet të bazohen në analiza të plota dhe në një proces real konsultimi.

Sipas Shoqatës, projektligji rrezikon të “fragmentojë kompetencat” mes subjekteve procedurale dhe të ngadalësojë zbulimin e veprave penale, veçanërisht në hetimet për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me kufizimin e mjeteve hetimore të prokurorit, përfshirë sekuestrimet, kontrollet, përgjimet dhe administrimin e provave. Prokurorët argumentojnë se, duke qenë se prokurori është magjistrat dhe drejton hetimin, vendosja e barrierave të shumta procedurale mund të krijojë vonesa dhe të cenojë efektivitetin e hetimeve.

Shoqata kundërshton veçanërisht detyrimin që sekuestrimet të kalojnë paraprakisht përmes gjykatës, duke argumentuar se edhe në sistemin aktual personi ndaj të cilit merret masa ka të drejtën e ankimit gjyqësor.

Kritika ka edhe për detyrimin për t’i vënë në dispozicion personit nën hetim apo të pandehurit të gjitha provat që lidhen me procedimin që në fazat e hershme. Sipas prokurorëve, kjo mund të cenojë sekretin hetimor dhe të rrezikojë hetimet, sidomos në çështjet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe hetimeve proaktive.

Një tjetër pikë e kundërshtuar është kufizimi i mundësisë për zgjerimin e hetimit kur gjatë tij zbulohen vepra të reja penale të lidhura me çështjen fillestare. Shoqata paralajmëron se ndarja e procedimeve në raste të tilla mund të dëmtojë hetimin dhe zbulimin e së vërtetës.

Prokurorët shprehen gjithashtu kundër kufizimeve të propozuara për masat e sigurimit personal, duke argumentuar se ato mund të vështirësojnë parandalimin e arratisjes, prishjes së provave apo përsëritjes së veprave penale.

Në qëndrimin e tyre, ata kërkojnë gjithashtu rishikimin e dispozitave që parashikojnë papërdorshmëri të provave apo pavlefshmëri aktesh për shkelje procedurale, duke argumentuar se këto pasoja nuk duhet të jenë automatike për çdo shkelje formale.

Shoqata kërkon transparencë mbi mënyrën se si është hartuar nisma dhe publikimin e analizave e studimeve që kanë shërbyer si bazë për ndryshimet. Po ashtu, kërkohet një proces konsultimi me institucionet e drejtësisë, magjistratët, avokatinë, akademinë dhe shoqërinë civile.

Në përfundim, Shoqata e Prokurorëve deklaron se mbështet një sistem procedural penal modern dhe europian, por kërkon që reforma të mos cenojë funksionimin efektiv të hetimeve, sigurinë juridike dhe ekuilibrin kushtetues mes institucioneve.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ambasadori Eric Wendt takohet me Ministrin Hoxha, vlerësohet partneriteti SHBA-Shqipëri

Ambasadori Eric Wendt është takuar me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka bërë të ditur Ambasada Amerikane përmes një postimi në...
10:10 | 01/10/2026

Zbardhet qëndrimi i PS-së në Konferencën e Kryetarëve mbi Vlora Hysenin 

Partia Socialiste ka bërë të qartë qëndrimin e saj lidhur me hetimin ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke kërkuar që çështja...
09:46 | 01/10/2026

Arresti i ish-kreut të SHISH, Konferenca e Kryetarëve shqyrton kërkesën e PD për mocion me debat

Konferenca e Kryetarëve mblidhet sot në orën 09:00 për të shqyrtuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat...
09:23 | 01/10/2026