Rajoni

Pas Tiranës, Ursula von der Leyen ndalet në Prishtinë!

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vijon turin në Ballkanin Perëndimor me një vizitë në Kosovë, pas qëndrimit në Shqipëri. Në Prishtinë, von der Leyen pritet të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit për media, takimi me Haxhiun është parashikuar të nisë në orën 12:30, në ambientet e Presidencës së Kosovës. Në qendër të vizitës pritet të jenë perspektiva evropiane e vendit, hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe mbështetja përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Vizita në Kosovë është pjesë e një turi rajonal të presidentes së Komisionit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Pas Prishtinës, von der Leyen pritet të udhëtojë drejt Podgoricës, ndërsa turneu do të përmbyllet më 2 tetor në Shkup.

Gjatë vizitës në Shqipëri, von der Leyen vlerësoi përparimin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, deklaroi se anëtarësimi i Shqipërisë do të forconte si vendin, ashtu edhe Bashkimin Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian theksoi, megjithatë, se Shqipëria ka ende punë përpara dhe se kërkohen reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur të negociatave.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.