Shpërthen Milaim Zeka në “Shqipëria Live”: Adi video si manjak, i kam mikesha dy zonja! Pa kaluar shumë orë nga prezantimi i draftit të Kodit të Procedurës Penale dhe hedhja për konsultim e tij, ka reaguar Shoqata e Prokurorëve, të cilët janë të shqetësuar për rrezikun e cenimit të punës së prokurorisë së posaçme.
Duke i konsideruar si barriera proceduriale në hetimet penale, pikëpyetja e parë e prokurorëve vendoset ndaj balancës që draftuesit ofrojnë mes procedimit dhe të drejtës për t’u mbrojtur.
Konkretisht, tek mëse 100 nene ku është ndërhyrë, është kufiri që sugjerohet të vendoset rreth përgjimeve, nga të cilat duhen transkriptuar vetëm çfarë ka interes për përgjimin, si kqyret një telefon që duhet sekuestruar me vendim gjykate dhe prej nga ku nuk duhen marrë të dhënat personale, si kontrollohet banesa, prej nga ku gjykata më parë duhet të urdhërojë se çfarë konkretisht sekuestrohet.
Por prokurorët dyshojnë se këto rregulla në hetim zbehin rolin e tyre, procesin proaktiv, rolin e gjyqtarit paraprak të lindur gjatë reformës në drejtësi dhe që mund të sjellë pasoja të rëndësishme.
Shoqata e Prokurorëve shpreh shqetësimin për ndryshimet e propozuara, të cilat rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat hetimore, të kufizojnë mjetet e kërkimit të provës dhe të dobësojnë efektivitetin e ndjekjes penale, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Duke dhënë alarmin se kështu mund të cenohet pavarësia, prokurorët replikojnë përballë risisë tjetër, atë se mbrojtësit e një të dyshuari duhet të njihen me provat. Kundërshtimi i akuzës shpjegohet me arsyetimin se zbulimi i të gjitha provave në fazat e hershme mund të cenojë sekretin hetimor. Për masat e sigurimit personal, ku orientimi drejt masave të tjera do të kthehet në ligj, prokurorët këmbëngulin se ky parashikim është cenim i diskrecionit të gjyqtarit. Prokurorët kërkojnë studimin real pas të cilit u sugjerua ndërhyrja në Kodin e Procedurës Penale, ndërsa janë të shqetësuar rreth modeleve të shumta në drejtësi që u kopjua nga italianët dhe në draftin e fundit sipas direktivave të BE-së. Por, ndërsa janë të hapur për tryeza konsultimi reale, qëndrim tjetër mbajnë avokatët, që thonë se këto propozime sjellin garanci dhe barazi armësh para drejtësisë.
Nisma përbëhet nga 106 nene, përmes të cilave kërkohet të rritet standardi i dërgimit të çështjes në gjykim, prezumimi i pafajësisë, ndërsa shtohen dy krerë për provat dixhitale dhe e drejta që edhe hetimet e avokatëve.
Reagimi i plotë i SHPRSH:
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të nismës ligjore të prezantuar nga Këshilli i Ministrave, për një sërë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, e konsideron të domosdoshme, që në ushtrim të veprimtarisë së saj, të shprehë këtë qëndrim zyrtar si vijon. Së pari, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë mbështet në parim çdo nismë ligjore që synon përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale, përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian dhe të vendeve anëtare të saj, si dhe forcimin e garancive për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Mbrojtja e të drejtave të personit nën hetim dhe të pandehurit nuk është pengesë për drejtësinë penale, por kusht themelor i saj. Në të njëjtën kohë, një procedurë penale demokratike duhet të garantojë edhe aftësinë reale të shtetit për të zbuluar veprat penale, për të mbledhur dhe ruajtur provat, për të identifikuar autorët dhe për të mbrojtur viktimat dhe interesin publik. Një kod procedural ka nevojë për stabilitet të mjaftueshëm që institucionet ta zbatojnë në mënyrë të njëtrajtshme, që praktika gjyqësore të konsolidohet, që Gjykata e Lartë të mund të zhvillojë funksionin e saj njësues dhe që profesionistët e sistemit të krijojnë standarde të qëndrueshme pune. Prandaj, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit procedural penal krijojnë, në vetvete, një problem të sigurisë juridike dhe të parashikueshmërisë së zbatimit të ligjit. Shoqata e Prokurorëve vlerëson se ndërhyrje të përmasave të tilla, që prekin themelet e hetimit penal, balancën ndërmjet subjekteve procedurale, si dhe vetë funksionalitetin e sistemit të drejtësisë penale, duhet të mbështeten në një analizë të qartë të problemeve të konstatuara në praktikë dhe në një vlerësim të plotë të ndikimit të ndryshimeve të propozuara. Gjithashtu, procesi i konsultimit publik duhet të jetë real, gjithëpërfshirës dhe me kohën e nevojshme për vlerësimin të efektit ndryshimeve mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë penale. Nga analiza paraprake e projekt-ndryshimeve të prezantuara, konstatojmë me shqetësim se një pjesë e konsiderueshme e dispozitave, në vend që të rrisin efektivitetin e ndjekjes penale dhe garantimin e drejtësisë penale, rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat mes subjekteve procedurale, të ngadalësojnë ndjeshëm zbulimin e veprave penale, veçanërisht ato që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe të kufizojnë ndjeshëm informimin publik, duke cenuar interesin publik dhe besimin e qytetarëve te drejtësia. Në mënyrë të veçantë, konstatohet një prirje për kufizim të kompetencave dhe mjeteve të kërkimit të provës në dispozicion të prokurorit gjatë fazës së hetimeve, duke vendosur barriera procedurale për sekuestrimet, kontrollet, përgjimet dhe përdorimin e provave të tjera. Ky kufizim vlerësohet si i pajustifikuar, teksa prokurori në Republikën e Shqipërisë (si në shtete të tjera të BE-së me sistem të ngjashëm magjistrature), është magjistrat, i pavarur në ushtrimin e funksionit, si dhe ka kurdoherë detyrimin për të grumbulluar të gjithë provat që tregojnë njësoj si fajësinë, ashtu edhe pafajësinë e personit. Në këtë kuptim, çdo ndryshim duhet të niset nga kjo premisë dhe jo nga një mosbesim i përgjithësuar ndaj funksionit të prokurorit. Projektligji ndërthur institute dhe zgjidhje të marra nga modele të ndryshme procedurale, pa qenë gjithmonë e qartë filozofia unifikuese e tyre. Një dispozitë nuk mund të transpozohet mekanikisht nga një sistem ku hetimin e drejton një organ tjetër, ku prokurori mund të ketë status dhe funksion të ndryshëm ose ku ekziston një gjyqtar hetues me kompetenca të plota, dhe të vendoset në një sistem ku Kushtetuta dhe Kodi ia ngarkojnë prokurorit drejtimin dhe përgjegjësinë e hetimit. Krahasimi me legjislacionet e shteteve të tjera është i dobishëm vetëm kur është funksional dhe merr në konsideratë të gjithë arkitekturën institucionale të sistemit nga i cili merret zgjidhja, si statusin e prokurorit, rolin e gjykatës në hetim, mënyrën e formimit të provës, strukturën e dosjes, momentin e kontradiktoritetit, mjetet e ankimit dhe përgjegjësinë institucionale. Përndryshe, bashkimi selektiv i instituteve të sistemeve të ndryshme rrezikon të prodhojë një model procedural atipik, të paqartë dhe me qendra të fragmentuara përgjegjësie. Psh., ndërsa nga njëra anë importohen disa institute të Kodit italian (hetimet e mbrojtjes, retrodatimi i regjistrimit, “pritshmëria e arsyeshme për dënim”), nga ana tjetër konstatohet largim nga vetë modeli italian lidhur me vleftësimin e kontrollit dhe sekuestros nga prokurori. Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se çdo reformë duhet të avancojë më tej standardet e vendosura tashmë me Reformën në Drejtësi. Vetë Analiza e Sistemit të Drejtësisë e vitit 2015, që i parapriu Reformës në Drejtësi nuk propozoi rrëzimin e modelit prokurorial të hetimit. Ajo identifikoi në atë kohë probleme të qartësisë së rolit të prokurorit, mënyrës së organizimit të prokurorisë si një organ i centralizuar, afateve procedurale, kontrollit të hetimeve, gjykimit në mungesë, eficiencës dhe sistemit të ankimeve. Në këtë analizë u theksua se ndjekja penale duhet të ushtrohet nga prokurori, se hetimet paraprake janë faza ku mblidhen të dhënat dhe zbatohen mjetet e kërkimit të provës, dhe se gjykata ka rol kontrollues për ndërhyrjet më të rënda. Pra, diagnoza ishte për përmirësim të ekuilibrit dhe garancive, jo për heqjen e prokurorit nga qendra e hetimit. Pikërisht pas kësaj analize, u bënë ndërhyrjet në Kodin e Procedurës Penale, të hyra në fuqi në vitin 2017, të cilat kishin si objektiv të deklaruar njëkohësisht fuqizimin e rolit të prokurorit gjatë hetimeve dhe kontrollin gjyqësor të veprimeve të tij. Decentralizimi i prokurorisë u shoqërua me krijimin e gjyqtarit të seancës paraprake si mekanizëm kontrolli. Kjo tregon se ligjvënësi i reformës e konceptoi pavarësinë e prokurorit dhe kontrollin gjyqësor si elemente plotësuese, jo si alternativa që përjashtojnë njëra-tjetrën.
Top Channel