Trajneri dhe presidenti i federatës tentuan që ta ndalonin Ronaldon në aeroport
Cristiano Ronaldo duket gjithnjë e më pranë një vendimi të madh për të ardhmen e tij me kombëtaren portugeze. Sipas gazetës spanjolle Marca, trajneri Jorge Jesus dhe presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, kanë tentuar deri në momentet e fundit ta bindin yllin portugez që të mos largohej nga grumbullimi në Kopenhagë.
Por përpjekja e tyre nuk ka funksionuar. Ronaldo ka vendosur të largohet dhe nuk do të jetë pjesë e Portugalisë në përballjen ndaj Danimarkës. Vendimi i Ronaldos erdhi pas konferencës për shtyp të Jorge Jesusit, i cili la të kuptohej qartë se pesë herë fituesi i Topit të Artë do të niste sërish ndeshjen nga stoli.
Në vend të tij, titullar pritej të ishte përsëri sulmuesi i Milanit, Gonçalo Ramos. Pas këtyre deklaratave, Ronaldo, i zemëruar nga vendimi, u largua nga stadiumi ku kombëtarja portugeze do të zhvillonte stërvitjen. Sipas raportimit të Marca, ai më pas kërkoi që avioni i tij privat të nisej nga Madridi drejt Kopenhagës për ta marrë.
Pasi mësuan se Ronaldo kishte vendosur të largohej dhe se avioni privat po vinte për ta marrë, Jorge Jesus dhe Pedro Proença shkuan personalisht në terminal, në përpjekje për ta bindur futbollistin të ndryshonte mendje.
Marca e përshkruan këtë si një “përpjekje të fundit dhe të dëshpëruar për ta bindur lojtarin të qëndrojë”.
Por tentativa nuk solli rezultat dhe Ronaldo e vazhdoi planin e tij për t’u larguar nga grumbullimi. Pas kësaj përplasjeje, e ardhmja e Cristiano Ronaldos me kombëtaren portugeze është futur në një pikëpyetje të madhe.
Në moshën 41-vjeçare, kapiteni historik i Portugalisë mund të jetë pranë vendimit për t’i dhënë fund aventurës së tij me kombëtaren. Për momentin, Ronaldo nuk ka bërë një deklaratë përfundimtare për tërheqjen, por largimi nga grumbullimi dhe përplasja me stafin teknik e kanë bërë situatën edhe më serioze.
Cristiano Ronaldo leaving the Portugal national team camp, this is sad to see 💔😢 pic.twitter.com/MR8Y5eioXn
— Shed (@Shednotty) September 30, 2026

