Përfitoi prona në bashkëpunim me dy ish-drejtues të Kadastrës së Fierit, Prokuroria sekuestron 2.6 milionë euro dhe një automjet luksoz të Kastriot Haskos Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg, ku ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare për kufizimin, sipas tij, të pluralizmit në vend.
Duke folur për situatën e medias dhe lirinë e shprehjes në Shqipëri, Berisha e cilësoi “korruptimin e gjuhës” si një mjet të pushtetit dhe argumentoi se kjo situatë e bën pluralizmin politik “fiktiv”.
Në fjalimin e tij, kreu i PD-së përdori edhe shprehjen “burg pa mure” për të përshkruar atë që ai e konsideron si ndikimin e pushtetit mbi gjuhën, median dhe debatin publik.
Fjalimi i Berishës:
Zonja Kryetare,
Raportet më serioze ndërkombëtare dëshmojnë se në Shqipëri mbi 90% e mediave, përfshirë mbulimin e lajmeve, debatet dhe editorialet, kontrollohen nga kryeministri, narkoqeveria e tij dhe bizneset e oligarkëve të tij. Më pak se 10% e mediave që nuk kontrollohen janë subjekt i persekutimit, sulmeve verbale dhe fizike kundër gazetarëve nga vetë kryeministri dhe narkozyrtarët e tij, si dhe i gjobave të rënda, deri edhe i shkatërrimit të pronës dhe pasurisë së tyre.
Të gjitha rekomandimet e këtij institucioni dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare për mediat në Shqipëri janë injoruar nga qeveria shqiptare.
Zonja Kryetare,
Në një kontekst ku 90% e mediave kontrollohet nga interesat politike dhe ekonomike të qeverisë, “e keqja banale” pushon së qeni një seri gabimesh rastësore dhe shndërrohet në një sistem operativ dhe ky është pikërisht rasti i Shqipërisë.
Kur 90% e mediave kontrollohet nga qeveria, korruptimi i gjuhës nuk është më një pasojë anësore, por një teknologji sundimi, dhe ky është një rast tipik i Shqipërisë. Në këtë rast, gjuha kthehet në një lloj “burgu pa mure”, ku fjalët përdoren për të parandaluar mendimin e pavarur përpara se ai të lindë. Korruptimi i gjuhës është me distancë mjeti më i fuqishëm dhe më i padukshëm i “të keqes banale”.
Korruptimi i gjuhës shënon shkatërrimin e kontratës themelore mes njeriut, shoqërisë dhe së vërtetës. Korruptimi i gjuhës korrupton mendimin: liria bëhet fiktive, pluralizmi politik zëvendësohet nga pluralizmi burokratik, dhe ky është realiteti i sotëm në Shqipëri, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Evropë.
Gjuha nuk shërben më për të kërkuar të vërtetën, por për të ndërtuar mure.
Ludwig WITTGENSTEIN ka thënë: “Kufijtë e gjuhës sime tregojnë kufijtë e botës sime.”
Ajo shërben për të sulmuar kundërshtarët dhe për të demonizuar opozitën e vërtetë. Në një vend ku e keqja banale është shndërruar në sistem dhe korruptimi i gjuhës në një teknologji dominuese, opozita është gjithmonë fajtore për çdo gjë që ndodh në vend.
Një qëndrim i prerë, sanksionet ndërkombëtare dhe ndëshkimi i narkoshtetit në Shqipëri si dhe i atyre që e ndërtuan atë, janë kushte sine qua non për lirinë dhe pavarësinë e mediave dhe për rivendosjen e pluralizmit të vërtetë demokratik në vendin tim.
Top Channel