TIRANË- Ka dështuar për të tretën herë radhazi në GJKKO procesi ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi. Pas dy shtyrjeve për shkak të mungesës së gjyqtares Palloi, ketë herë shkak është bërë bojkoti i avokatëve kundër rregullores censuruese të GJKKO-së së shkallës së parë.

Ndonëse ishin në sallën e gjyqit, avokatët deklaruan se nuk mund të përfaqësojnë të akuzuarit për shkak të bojkotit. Si Meta ashtu edhe Kryemadhi kërkuan që procesi të vijonte edhe pa mbrojtësit e tyre ligjore, por prokurorët kundërshtuan, pasi sipas tyre vepra për të cilën akuzohen të pandehurit nuk lejon gjykimin pa avokatë.

Trupi gjykues vendosi te gjobisë avokatin e Metës Bujar Musta dhe Esmeralda Ramën, përfaqësuese e Kryemadhit me nga 5 mijë lekë të rinj, duke e quajtur të pajustifikuar mungesën e tyre. Siç ka ndodhur në çdo rast Metës iu pezulluan afatet e paraburgimit, deri në 15 tetor kur u la seanca e radhës.  

Ky vendim ngjalli reagimin e ish presidentit. Meta u shpreh se konflikti është i stisur sipas tij nga shokët e Ergys Agasit, ndërsa i vetmi që po penalizohet është ai.

Një reagim të ngjashëm pati edhe jashtë seancës edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, i cili tha se megjithëse ka kërkuar ndërhyrjen e kuvendit për konfliktin nuk ka asnjë përgjigje

"Skandali i këtij procesi të fëlliqur tanimë ka dalë në dritë të diellit, që është një proces fund e krye kriminal dhe politik ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, liderit të forcës së dytë opozitare, i cili u rrëmbye në mënyrë mafioze nga Ergys Agasi, nga Ilir Proda, nga Vilson Bala dhe gjithë banditët dhe kaçakët e bandave të Durrësit dhe të Elbasanit, me urdhër të Edi Ramës. Standardet e këtij rrëmbimi, të cilat janë identike edhe me standardet e hetimit, janë identike me standardet e paraburgimit në kushte çnjerëzore, në kushtet e një persekucioni të qëllimshëm politik, janë të njëjtat edhe me standardet e një procesi, e theksoj, të fëlliqur, një procesi politik, i cili në fakt sot faktoi dyshimin e arsyeshëm se i gjithë i ashtuquajturi konflikt mes GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës së Avokatisë është imponuar nga shokët, miqtë e Ergys Agasit, vetëm për t’i pezulluar në mënyrë të pandershme, të paligjshme, antikushtetuese afatet e paraburgimit zotit Meta, i cili vijon ende të qëndrojë në burg, por ndërkohë shteti nuk i njeh asnjë ditë burg.

Ky ishte dhe qëndrimi që mbajti Meta dhe dua t’ju theksoj se fakti që edhe Kuvendi i Shqipërisë vijon të heshtë mbi një kërkesë të bërë prej më shumë se një jave, që i kam drejtuar në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Ligjeve, në mënyrë që Kuvendi të ndërhyjë menjëherë për zgjidhjen e këtij konflikti nëpërmjet angazhimit, siç e përcakton Rregullorja e Kuvendit, të Komisionit të Ligjeve dhe të Komisionit të Mbikëqyrjes Institucionale, pra për angazhimin e dy të ashtuquajturve “baballarë të reformës në drejtësi”, Ulsi Manjës dhe Fatmir Xhafës, ende sot nuk kemi një përgjigje.", tha Blushi. 

Edhe Kryemadhi deklaroi se kjo situatë po penalizon mbi ata, që duan të vijojnë betejën me drejtësinë.

"Nuk mund të penalizosh, po themi, Ilir Metën për bojkotin e avokatëve. Nëse bojkoti i avokatëve është vendim i ligjshëm apo i paligjshëm, pra vendimi që ka marrë Dhoma e Avokatisë, a ka një institucion të drejtësisë që të japë një vendim nëse ky vendim është i ligjshëm apo i paligjshëm? Të njëjtën gjë ngriti edhe avokatja ime në seancë. Tha: “Zoti gjyqtar, kur ju u thirrët nga Gjykata e Lartë në Konferencën e Gjyqtarëve, gjykata e shtyu për një javë më vonë seancën dhe nuk iu pezulluan afatet zotit Meta”. Dhe në këtë rast, qoftë avokati i zotit Meta, qoftë edhe avokatja ime, e cila ishte në sallë, nuk është se po mungojnë për arsye personale.

Kush do të vijë në sallat e gjyqit për të na mbrojtur nëse avokatët nuk paraqiten? Sepse edhe avokatët e gatshëm janë në bojkot, edhe avokatët e ndihmës juridike janë përsëri në bojkot. Në rastin konkret, kush do të vijë të na mbrojë ose të jetë prezent? Ne po mbrohemi vetë. Më revolton sepse unë kërkova një javë më shumë. Pra, që seanca e radhës të ishte pas një jave për një arsye timen shëndetësore dhe u ndjeva e përdorur kriminalisht në këtë drejtim, sepse përdorimi i shtyrjes u bë për t’i shtuar dhe pezulluar masat e zotit Meta dy javë", tha Kryemadhi. 

Procesi është në fazën e kërkesave paraprake ku prokuroria e posaçme duhet të japë qëndrimin e saj në lidhje me kërkesat e bëra si nga Meta dhe Krymadhi për pavlefshemëri dhe papërdorshmëri të provave.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:26
Seanca e Metës u shty nga bojkoti i avokatëve, Blushi paralajmëron nismë të re në Kuvend: Konflikti GJKKO-Dhoma e Avokatisë i stisur, po cenohet procesi i rregullt ligjor

Përplasja mes GJKKO-së dhe Dhomës së Avokatisë, që ka çuar në bojkotimin e seancave nga avokatët, do të çohet nga Partia e Lirisë në Kuvend. Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, njoftoi se të premten do të paraqesë një kërkesë të re në Parlament, duke e lidhur konfliktin mes dy institucioneve me shtyrjen e procesit ndaj Ilir Metës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit të tij.

Blushi pretendon se përplasja mes GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës së Avokatisë është e qëllimshme dhe se, në rastin e Metës, po përdoret për të zgjatur qëndrimin e tij në paraburgim. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe Ergys Agasin se qëndrojnë pas kësaj situate. 

"E vërteta duhet thënë troç. Konflikti i qëllimshëm, i nxitur nga Edi Rama dhe Ergys Agasi, ndërmjet GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës së Avokatisë, është stisur posaçërisht për të zgjatur mbajtjen në izolim çnjerëzor politik të Ilir Metës, liderit të forcës së dytë opozitare ne vend. Ky konflikt i qëllimtë po ndikon gjithashtu në ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe në garantimin e një procesi të rregullt ligjor edhe për të gjithë të paraburgosurit e tjerë. Në rastin e Ilir Metës, qëllimi është i mirëfilltë politik dhe kriminal. Të mbahet me çdo kusht në burgim politik, duke i pezulluar afatet, sepse kështu kanë rënë dakord Edi Rama dhe Ergys Agasi. Kjo skemë mafioze fëlliqësirë nuk mund të tolerohet dhe aq më pak të shndërrohet në instrument persekucioni politik. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të heshtë dhe as të qëndrojë spektator.  Heshtja përballë një situate të tillë do të thotë bashkëfajësi. Nesër do të paraqes një kërkesë të re në Kuvend për marrjen e menjëhershme të masave dhe për thirrjen e institucioneve përgjegjëse, me qëllim dhënien fund të konfliktit të stisur, sqarimin e plotë të kësaj situate dhe garantimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor për çdo të paraburgosur. Koha kërkon përgjegjësi, transparencë dhe veprim kushtetues.  Çdo deputet i Kuvendit të Shqipërisë duhet të përballet me përgjegjësinë e tij për t'i dhënë fund një tjetër akti mafioz të "Drejtësisë me Regji" që hedh në erë procesin e rregullt ligjor penal për çdo të paraburgosur" 

Reagimi vjen pak orë pasi seanca ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit u shty sërish për shkak të bojkotit të avokatëve. GJKKO vendosi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për Metën, ndërsa avokatët që nuk u paraqitën në seancë u gjobitën. 

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 30 Shtator, 16:02

    Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale?