Erion Veliaj i ka dërguar një letër nga qelia Kuvendit të Shqipërisë ku kërkon pezullimin e shqyrtimit përfundimtar të projektligjit për hartën e re territoriale. Kryetari i Bashkisë së Tiranës që vijon të ushtrojë detyrën e tij nga burgu, i kërkon instancave përkatëse konsultimin me qytetarët.
Veliaj thekson se reformë administrativo-territoriale nuk është thjeshtë vizatimi i një harte të re. Sipas tij ajo prek autononimë vendore dhe kësisoj lind nevoja e domosdoshme e konsultimit me qytetarët.
“Reforma administrativo-territoriale nuk është vizatimi i një harte të re. Ajo prek autonominë vendore. Reformat tona nuk duhet t’i masim vetëm me aftësinë për t’i miratuar, por për t’i bërë të qëndrueshme. Çdo ndryshim të konsultohet me qytetarët”, mësohet të jetë shprehur ndër të tjera kryebashkiaku Veliaj.
