Shqipëria ka dendësinë më të ulët të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor dhe është i vetmi vend i rajonit ku dendësia e rrjetit rrugor ka rënë gjatë dekadës së fundit. Edhe rrjeti hekurudhor është tkurrur, me rënien më të fortë në rajon, mbi 28% krahasuar me periudhën 2014-2016, sipas raportit të OECD-së Raporti i Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor 2026.
Në infrastrukturën rrugore, Shqipëria regjistron vetëm 13 kilometra rrugë për 100 km² territor, niveli më i ulët ndër gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Në skajin tjetër qëndron Mali i Zi me 74 km rrugë për 100 km². OECD vëren se dendësia rrugore ka mbetur përgjithësisht e pandryshuar në pjesën tjetër të rajonit, ndërsa Shqipëria është e vetmja ekonomi që ka shënuar rënie gjatë periudhës së analizuar.
Situata është edhe më e dobët në hekurudha. Shqipëria ka vetëm 0.9 km linjë hekurudhore për 100 km², përsëri niveli më i ulët në rajon. Për krahasim, Serbia, që kryeson Ballkanin Perëndimor, arrin në 4 km për 100 km². OECD llogarit se dendësia e rrjetit hekurudhor shqiptar është zvogëluar me mbi 28% që nga 2014-2016, rënia më e fortë ndër vendet e rajonit.
Dobësia e hekurudhës nuk kufizohet vetëm te gjatësia e rrjetit. OECD e rendit Shqipërinë, së bashku me Kosovën, ndër ekonomitë ku transporti hekurudhor i mallrave mbetet margjinal, me volume të papërfillshme. Kjo e lë pjesën më të madhe të transportit të mallrave të varur nga rrjeti rrugor dhe kufizon përdorimin e një alternative që në vendet e BE-së luan rol më të madh në tregti dhe logjistikë.
Të dy treguesit ndihmojnë të shpjegohet pse Infrastruktura dhe Ndërlidhja është klasteri ku Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor. OECD thekson se, pavarësisht progresit të rajonit në disa elementë të infrastrukturës, hendeku me vendet fqinje të BE-së mbetet i madh dhe Shqipëria ka rezultatin më të ulët ndër ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

OECD e konsideron pikërisht infrastrukturën e transportit si një nga dobësitë kryesore të konvergjencës me BE-në. Rezultati i Shqipërisë në klasterin “Infrastruktura dhe Ndërlidhja” është vetëm 33 pikë kundrejt mesatares 100 të BE-së, duke e renditur 6-ta nga 6 ekonomitë e rajonit. Dendësia e rrugëve vlerësohet në vetëm 7.6% të nivelit të BE-së, ndërsa ajo hekurudhore në 16.1%.
Megjithatë, hendeku nuk është i njëjtë në të gjithë infrastrukturën. Shqipëria ka arritur praktikisht nivelin e BE-së në mbulimin 4G dhe ka përmirësuar ndjeshëm kostot e energjisë elektrike, por këto përparime nuk kanë kompensuar dobësinë e transportit fizik. OECD e përmbledh këtë kontrast duke e cilësuar transportin shqiptar si të pazhvilluar, me aktivitet hekurudhor të mallrave marginal dhe me shpejtësinë broadband më të ulët në rajon./ekofin.al












