Aktualitet

Shtyhet gjyqi, Ilir Meta: Konflikti, i stisur nga shokët e Agasit!

Gjykata e Posaçme shtyu për më 15 tetor seancën e radhës në procesin ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, se nuk ishte e mundur vijimi i gjykimit. Në përfundim të seancës, gjykata gjobiti avokatët me nga 5 mijë lekë, ndërsa pezulloi edhe afatet e masës së sigurimit ndaj Ilir Metës.

Meta kundërshtoi pezullimin e afateve të paraburgimit, duke deklaruar se ka qenë i pranishëm në proces që prej ditës së parë dhe se nuk është ai shkaku i përplasjes mes avokatëve dhe gjykatës.

Sikurse e dini nga përvoja në këtë çështje, ashtu sikurse edhe prokurorët e dinë, unë kam qenë i pranishëm që prej ditës së parë. Në mënyrë abuzive përdoret mungesa e avokatëve për pezullimin e afateve të paraburgimit, në mënyrë që të mos më njihet asnjë ditë burg.

Meta shtoi se nuk e kupton konfliktin mes avokatëve dhe gjykatës dhe se nuk mund t’u kërkojë mbrojtësve të tij të ndërmarrin veprime që mund t’u kushtojnë licencën.

Unë nuk mund t’i kërkoj avokatit tim të humbasë licencën. E kundërshtoj kërkesën e prokurorisë që të pezullohet ecja e afateve të paraburgimit. Unë jam këtu dhe jam që të vijojë gjykimi, ose ndryshe ky konflikt është i stisur.

Meta shtoi se për këtë situatë ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Kuvendit, duke theksuar se sipas tij, nuk është ai shkaku i konfliktit të krijuar.

Në mungesë të kushteve për vijimin e seancës, Gjykata e Posaçme vendosi ta shtyjë procesin për më 15 tetor, ndërsa ndaj avokatëve u vendos gjobë. Pas largimit të trupit gjykues nga salla, Meta deklaroi se, sipas tij, konflikti mes avokatëve dhe gjykatës është “i stisur nga shokët e Ergys Agasit”.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.