Art & Kulturë Travel

Kryeqyteti Europian i Kulturës më 2031-shin, Victoria!

Nëse po planifikoni një udhëtim në Europë dhe kërkoni një destinacion larg turmave, një qytet i vogël mesdhetar mund të jetë alternativa e radhës. Victoria ndodhet në Gozo, ishulli më i vogël dhe më i qetë nga dy ishujt kryesorë të Maltës.

Deri tani, shumë turistë e kanë trajtuar si një ndalesë disaorëshe për të vizituar Citadelën mesjetare dhe për të drekuar, përpara se të vazhdojnë udhëtimin.

Por kjo pritet të ndryshojë, pasi Victoria është shpallur zyrtarisht Kryeqyteti Europian i Kulturës për vitin 2031.

Procesi i përzgjedhjes zgjat rreth nëntë muaj dhe zhvillohet nga një panel i pavarur ekspertësh të Bashkimit Europian dhe vendeve përkatëse.

Qytetet paraqesin fillimisht kandidaturën dhe më pas ato që kalojnë në listën e ngushtë duhet të prezantojnë një program të detajuar, duke dëshmuar se kanë strategji kulturore afatgjatë, dimension europian dhe infrastrukturën e nevojshme.

Në Maltë, gara nisi me dy qytete: Victoria dhe Birgu, i njohur edhe si Vittoriosa, një nga “Tre Qytetet” historike përballë portit të Valetës.

Birgu u eliminua në fazën paraprake në nëntor 2025, duke e lënë Victorian të vetme në raundin përfundimtar.

Victoria bëhet kështu qyteti i dytë maltez që merr këtë titull, pas Valetës në vitin 2018.

Programi fitues i Victorias quhet “Island of Islands” (Ishulli i Ishujve) dhe synon ta paraqesë Gozon si një rrjet komunitetesh dhe traditash lokale të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Projekti do të zhvillohet rreth tri temave mesdhetare: Bregdeti, Kripa dhe Valët.

Samuel Azzopardi, drejtues i Fondacionit Victoria 2031, e ka përmbledhur vizionin në tri shtylla: ngadalësia, kujdesi dhe guximi.

Synimi është të ruhet ritmi më i qetë i jetës që karakterizon Gozon, duke e ndërthurur atë me iniciativa të reja artistike dhe kulturore.

Victoria ndodhet në zemër të Gozos dhe njihet me dy emra.

Emri Victoria iu dha qytetit në vitin 1887, për Jubileun e Artë të Mbretëreshës Victoria, ndërsa vendasit vazhdojnë ta quajnë Ir-Rabat.

Atraksioni kryesor është Citadela, qyteti i vjetër mesjetar i fortifikuar, i ngritur mbi një kodër, prej nga ofrohet pamje panoramike mbi pothuajse të gjithë ishullin.

Poshtë mureve historike shtrihet qyteti i gjallë, me sheshe, dyqane të vogla, kafene dhe stacionin qendror të autobusëve, ku bashkohen rrugët kryesore të Gozos.

Me titullin e Kryeqytetit Europian të Kulturës në horizont, Victoria synon të kthehet nga një ndalesë e qetë në Gozo në një nga destinacionet kulturore më interesante të Mesdheut.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.