web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Balla, për skandalin e SHISH-it: Rrugë pa kthim, të zbardhet deri në fund nga SPAK-u

1 Tetor 2026, 11:30, Politikë CNA

Balla, për skandalin e SHISH-it: Rrugë pa kthim, të zbardhet deri

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndau qëndrimin e tij lidhur me skandalin e SHISH-it, ndërsa fliste në Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. 

Balla tha se mazhoranca pret që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK-u, të cilët duhen lënë të bëjnë punën e tyre pa asnjë ndërhyrje apo mbivendosje, përmes procesit të pavarur të hetimit dhe të gjykimit.

Sipas socialistit, kjo çështje ka marrë tanimë një rrugë pa kthim dhe do të zgjidhet përmes organeve të drejtësisë.

Fjala e Ballës:

Lidhur me hetimet mbi ish-drejtoren e Shërbimit Informativ ne presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK-u, të cilët duhen lënë të bëjnë punën e tyre pa asnë ndërhyrje apo mbivendosje, përmes procesit të pavarur të hetimit dhe të gjykimit. Rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.

Sipas jurisprudencës së konsoliduar tanimë të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale.

Falë kësaj shumice qeverisëse, me kurajë e me vendosmëri i është hapur rruga drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.

As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë sesa kushdo.

Jo më larg se dje Ursula von der Leyen konfirmoi “Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit”. Prandaj ta lëmë sistemin të bëjë punën e vet. Asnjë instrument kontrolli parlamentar, nga mocioni me debat deri te komisioni hetimor parlamentar, nuk mund ta zëvendësojë, ta ndikojë, ta kushtëzojë apo pengojë hetimin e plotë dhe të pavarur nga prokurorët e SPAK-ut. Dua të ripërsëris këtu se çdo sulm personal ndaj prokurorëve të SPAK-ut, të cilët meritojnë respekt për punën e tyre, duhet të ndalet. Rituali i turpit në dy të hëna të muajit nga një i pandehur para dyerve të SPAK-ut, duhet të ndalet. Forca politike, brenda së cilës militon ky person, duhet ta bëjë debatin e parë brenda vetes për këtë çështje.

Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye. Qëndrimi ynë mbetet ai që kemi thënë ditën e parë të Reformës në Drejtësi:

Pafajësia ose fajësia e një zyrtari, edhe pse i propozuar, mbështetur apo votuar prej nesh, i vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.

Shkarkimi i menjëhershëm dje nga detyra i drejtores së shërbimit ishte pikërisht shembulli i kësaj qasjeje nga ana jonë.

Kjo është një çështje që i duhet lënë prokurorisë dhe gjykatës, jo leximit sporadik të materialeve hetimore që nxirren për të bërë çorap opinionin publik. Procesi do të tregojë nëse ka apo jo gjëra që kanë cenuar çfarëdoqoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo në lidhje me partnerët tanë.

Deri më tani nuk ka asnjë shqetësim nga partnerët./CNA





Lajmet e fundit nga