Bologna interesohet për Hysajn, por Maran e la në stol

Nga Dea Kozma
1 Tetor 2026, 11:37 | Futboll

Bologna interesohet për Hysajn, por Maran e la në stol

Një mundësi e artë për Elseid Hysajn, por që përfundoi pa një minutë në fushë. Drejtori teknik i Bologna-s, Giovanni Sartori, ishte në stadium për ndeshjen San Marino–Shqipëri, pikërisht për të vëzhguar nga afër mbrojtësin kuqezi. Hysaj është një nga emrat që po monitorohen nga klubi italian, si alternativë në merkato për krahun e mbrojtjes, pasi aktualisht është lojtar i lirë.

Por plani i Sartorit nuk shkoi siç pritej. Trajneri Rolando Maran e mbajti Hysajn në stol gjatë gjithë takimit, pavarësisht se mbrojtësi u nxeh që në pjesën e parë, por nuk mori asnjë minutë.

Kështu, drejtori i Bologna-s nuk pati mundësinë ta shihte në fushë një prej alternativave që klubi po shqyrton për repartin defensiv.

Në Itali raportohet se Bologna po vlerëson disa emra për këtë pozicion, mes tyre edhe Hysajn dhe Matteo Darmian, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vijim.

Për Hysajn, një situatë paradoksale: një drejtor teknik i Serisë A shkon ta shohë nga afër, por rekordmeni i Kombëtares shqiptare nuk zbret fare në fushë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos