Rama: Konkurs ndërkombëtar për rikonceptimin e “Tajvanit”, projekti brenda perimetrit të pronës private
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e pesë projekteve të përzgjedhura në konkursin ndërkombëtar “Tirana Fountain Tower”, që synon rikonceptimin e hapësirës së “Tajvanit” në kryeqytet.
Rama theksoi se bëhet fjalë për një projekt që do të zhvillohet brenda perimetrit të pronës private, por që do të ketë ndikim edhe në hapësirat përreth.
“Ky është një projekt i sipërmarrjes private dhe në pronë private. Zhvillohet brenda perimetrit të pronës private, aty ku aktualisht jemi në kushtet që duhet rindërtuar, por ndërtimi do të ketë impakt të rëndësishëm në gjithë hapësirën përreth. Po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar, duke ia besuar një mundësie zgjedhje të gjerë vendimin se cila do të jetë mënyra si do rikonceptohet dhe rizhvillohet “Tajvani”.
Këtu nuk kemi të bëjmë me një komunitet biznesmenësh, që vijnë nga të gjitha anët e botës për të shfrytëzuar Shqipërinë. Kemi të bëjmë me një komunitet dijeje, vizionesh, talentesh, krijuesish, që sjellin në Shqipëri patjetër profesionalizmin e tyre për të bërë projekte, por sjellin edhe një kulturë krejt të re dhe hedhin bazat e një shkolle”, tha Rama.

