“Ndryshim në formacion” – Trajneri i Kosovës zbulon detaje para ndeshjes kundër Izraelit
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka dalë në konferencën për shtyp në prag të përballjes me Izraelin, ku ka theksuar rëndësinë e kësaj sfide për “Dardanët” në Ligën e Kombeve.
Tekniku gjerman bëri të ditur se në formacion priten ndryshime në krahasim me ndeshjen e fundit, ndërsa objektivi i skuadrës është të rikthehet te paraqitja e zhvilluar ndaj Irlandës.
“Nuk mund të them se kjo ndeshje është vendimtare, por është shumë e rëndësishme për ne. Do të ketë ndryshime krahasuar me ndeshjen e fundit. Do të provojmë të luajmë njësoj si ndaj Irlandës”, deklaroi Foda.
Sa i përket kundërshtarit, trajneri i Kosovës vlerësoi cilësitë e Izraelit, duke paralajmëruar se pavarësisht rezultateve negative në dy ndeshjet e para ndaj Austrisë dhe Irlandës, bëhet fjalë për një përfaqësuese që mund të krijojë vështirësi.
“Izraeli është një përfaqësuese e vështirë. Ka futbollistë teknikë, të shpejtë dhe me cilësi individuale. Presim një ndeshje të fortë dhe do të mundohemi të jemi sa më agresivë”, u shpreh trajneri gjerman.
Kosova synon të zhvillojë një ndeshje me intensitet të lartë dhe të marrë një rezultat pozitiv, në një përballje që Foda e konsideron shumë të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të “Dardanëve” në Ligën e Kombeve.




