Cristiano Ronaldo i ka dhënë fund grumbullimit me Portugalinë në Kopenhagë, në një prej episodeve më të bujshme të ditëve të fundit te kombëtarja portugeze.
Pasi vendosi të largohej nga skuadra, Jorge Jesus dhe presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, shkuan deri në aeroport në një përpjekje të fundit për ta bindur Ronaldon të qëndronte.
Sipas raportimeve të “Marca”, Jesus dhe Proença u takuan me kapitenin portugez në aeroportin e Kopenhagës, ku tentuan t’ia ndryshonin mendjen në momentet e fundit. Ronaldo, megjithatë, qëndroi i vendosur në vendimin e tij dhe hipi në avionin privat, duke lënë Danimarkën.
Ngjarja erdhi pas konferencës së Jorge Jesus, ku trajneri konfirmoi se Ronaldo nuk do të ishte titullar ndaj Danimarkës. Ronaldo më pas u largua nga grumbullimi, ndërsa vetë lojtari deklaroi se vendimi erdhi pas konferencës së trajnerit dhe një bisede me presidentin e Federatës. Ai paralajmëroi gjithashtu se “në kohën e duhur” do të tregojë arsyet e largimit.
Përpjekja e fundit në aeroport nuk e ndryshoi situatën. Ronaldo hipi në avion dhe u nis drejt Madridit, ku tashmë ka mbërritur, ndërsa Jesus dhe Proença mbetën në Kopenhagë.
E ardhmja e 41-vjeçarit me kombëtaren mbetet në pikëpyetje. Federata portugeze ka konfirmuar largimin e tij nga grumbullimi, ndërsa deri tani nuk ka një njoftim zyrtar se Ronaldo e ka mbyllur përfundimisht karrierën ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje