AKTUALITET /

“Nga vjedhja tek shkeljet në tendera e korrupsioni”, krimet për të cilat nuk do bëhet burg nëse miratohen propozimet e qeverisë

Ndryshimet e propozuara nga qeveria janë kundërshtuar nga prokurorët të cilët shprehen se do të vështirësohej goditja e krimit të organizuar dhe rasteve të korrupsionit.

Shkruar nga Versus
“Nga vjedhja tek shkeljet në tendera e korrupsioni”, krimet
Foto ilustrim

Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama në prani të ekspertëve të huaj dhe të përfaqësuesve më të lartë të pushtetit gjyqësor në Shqipëri, prezantoi një paketë ligjore të propozuar nga qeveria lidhur me Kodin e Procedurës Penale, pra që përcakton sesi duhet të veprojnë prokurori e gjyqtari kur dyshojnë se është kryer një vepër penale.

Teksa u përqendrua në faktin se duhet që të ulet numri i të paraburgosurve, kryeministri Edi Rama propozoi edhe një ndryshim që sipas tij mund të bëjë që të arrihet ky synim. “Nuk do ketë masë arrest me burg për vepra penale që dënohen deri në 5 vite”- tha Rama dje.

Për këtë propozim në veçanti pati debate të shumta edhe në studio e në rrjete sociale. Një kërkim i thjeshtë rendit të gjitha krimet për të cilat Kodi Penal përcakton deri në 5 vite burg.

Kështu një person i dënuar për vjedhje, mashtrim apo shkatërrim prone, nuk do të mbahet në burg për të kryer dënimin sepse kodi penal përcakton maksimumi dënimin deri në 5 vite burg.  

Neni 134 – Vjedhja- deri në 3 vjet.

Neni 138 – Vjedhja e veprave të artit e kulturës deri në 5 vjet.

Neni 142 – Sigurimi i mjeteve për vjedhje- deri në 3 vjet.

Neni 143 – Mashtrimi, forma bazë- deri në 5 vjet.

Neni 150 – Shkatërrimi i pronës- deri në 3 vjet.

Po ashtu edhe për vepra penale si plagosja e rëndë, ndërprerja e shtatzënisë pa pëlqimin e gruas, vrasja nga pakujdesia apo përkrahja e autorit të krimit që dënohen deri në 5 vite burg, do të zbatohet i njëjti rregull nëse miratohen ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.

Interesi publik është i madh përsa u takon veprave penale të kryera nga zyrtarët publikë, sesi mund të pëfitojnë këta të fundit nga ndryshimet e propozuara. Kur bëhet fjalë për dënimin bazë, nëse miratohen propozimet e bëra, nuk do të bëjnë burg zyrtarët që shpallen fajtorë për vepra penale si: falsifikim i vulave, korrupsioni pasiv i personave me funksione publike, zbulimi i akteve sekrete, shkelje e barazisë në tendera të cilat dënimin bazë e kanë jo më shumë se 5 vite burg.

Nga ana tjetër, prokurorët të cilët ishin ndër më të prekurit nga këto propozime të qeverisë, në reagimin e bërë pretendojnë se në rast të miratimit të ndryshimeve, vështirësohet ndjekja penale dhe goditja e korrupsionit apo krimit të organizuar. Versus.al

Poll