
Ish-presidenti Ilir Meta është shprehur tepër i shqetësuar në seancën e të enjtes në Gjykatën e Posaçme për shtyrjen e saj për shkak të bojkotit të avokatëve, si dhe pezullimin e afateve të paraburgimit.
“Sikurse e dini nga përvoja në këtë çështje, ashtu sikurse edhe prokurorët e dinë, unë kam qenë i pranishëm qe prej ditës së parë. Në mënyrë abuzive përdoret mungesa e avokatëve për pezullimin e afateve të paraburgimit, në mënyrë që të mos më njihet asnjë ditë burg. Nuk e kuptoj konfliktin mes avokatëve dhe Gjykatës. Unë nuk mund ti kërkoj avokatit tim të humbas licencën”, citohet të ketë thënë Meta në seancë, përcjell A2 CNN.
“E kundërshtoj kërkesën e prokurorisë që të pezullohet ecja e afateve të paraburgimit. Unë jam këtu dhe jam që të vijoj gjykimi, ose ndryshe ky konflikt është i stisur. Unë kam kërkuar ndërhyrjen e Kuvendit, unë nuk jam shkak i këtij konflikti”
Gjykata e Posaçme në pamundësi për të vijuat gjykimin e shtyu atë, por gjobiti avokatët dhe pezulloi afatet e masës së Metës. Ky i fundit tha në seancë, pasi trupa la sallën, se konflikti është i stisur nga shokët e Ergys Agasit. (A2 Televizion)