Klopp: Nuk i mendoj titujt në tavolinë, kam respekt për Guardiolën

Jürgen Klopp ka reaguar me kujdes ndaj mundësisë që Liverpooli të përfitojë tituj të kampionatit anglez në mënyrë retroaktive, nëse sanksionet ndaj Manchester Cityt do të sjellin ndryshime në historikun zyrtar të Premier League.

Ish-trajneri i Liverpoolit, i cili tashmë është i angazhuar me kombëtaren gjermane, nuk ka shfaqur entuziazëm për një skenar të tillë. Klopp kujtoi se Liverpooli përfundoi tri herë në vendin e dytë pas Manchester Cityt gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës.

“Nuk kam menduar shumë për këtë. Mund të pres dhe të shoh se si do të zhvillohen gjërat, jam mjaft i qetë”, deklaroi Klopp.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në të kaluarën, gjermani kishte bërë edhe shaka për mundësinë që të hipte në një autobus të hapur nëse Liverpoolit do t’i akordohej ndonjë trofe retroaktivisht. Këtë herë, megjithatë, qëndrimi i tij ishte më serioz.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Respekti im për Pep Guardiolën dhe për futbollin që Manchester City luajti gjatë viteve kur u përballëm është shumë i madh. Nuk mund të them thjesht tani se ata duhet të ndëshkohen”, u shpreh Klopp, duke shtuar se nuk dëshiron të përfshihet në procesin ligjor.

Çështja lidhet me akuzat e Premier League ndaj Manchester Cityt për shkelje të rregullave financiare gjatë disa sezoneve. Sipas ligës angleze, një komision i pavarur e ka shpallur klubin fajtor për shkeljet financiare të pretenduara, si edhe për pjesën më të madhe të akuzave që lidhen me mungesën e bashkëpunimit gjatë hetimit.

Premier League ka pretenduar se Manchester City ka përdorur marrëveshje tregtare të rreme për të rritur artificialisht të ardhurat dhe për të ulur kostot, me shifra që kalojnë 900 milionë paund. Manchester City i ka kundërshtuar përfundimet dhe ka njoftuar se do ta apelojë vendimin.

Klopp, ndërkohë, nuk pret një zgjidhje të shpejtë të çështjes. “Kur bëhet fjalë për një proces ligjor që është zgjatur kaq shumë, mund të imagjinosh se do të ketë ankime apo komplikime të tjera. Mund të zgjasë edhe një përjetësi”, përfundoi ai.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?