web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Berisha takon zyrtaren e lartë të KiE-së/ Diskutohen ndryshimet e Procedurës Penale

1 Tetor 2026, 12:25, Politikë CNA

Berisha takon zyrtaren e lartë të KiE-së/ Diskutohen ndryshimet e

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim në Strasburg me Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Despina Chatzivassiliou.

Gjatë takimit, Berisha ngriti shqetësimet e opozitës për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, si dhe për paketën e propozuar të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.

Sipas Berishës, ndryshimet e propozuara në Kod përbëjnë një “mburojë" për Ramën, ndërsa theksoi se ndryshimet mund të ndikojnë edhe në hetimet për çështje të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

FJALA E PLOTË:

Sapo përfunduam një takim të veçantë dhe të rëndësishëm me Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në këtë takim, paraqitëm situatën dramatike në Shqipëri, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë dhe 'de facto' sot, narkoshteti ndoshta më i konsoliduar se çdo narkoshtet tjetër në botë.

Në takimin me Sekretaren e Përgjithshme, paraqitëm realitetin në të cilin nga kryeministri tek inspektori i policisë janë në bashkëpunim të dokumentuar tashmë me klanet më të rrezikshme të drogës në Europë dhe më gjerë. Shqipëria është e ditur, sot eksportuesi kryesor i kanabisit, kurse klanet shqiptare të kokainës janë transportuesit kryesorë të këtij helmi nga Amerika Latine në Europë.

Janë bilionerët e drogës, të cilët lajnë bilionat e tyre në Shqipëri me efekte shkatërrimtare mbi ekonominë shqiptare. Prodhimi industrial sipas Eurostat-it ka rënë me 15.3% në pesë vite, kurse popullata, Shqipëria po shpopullohet me ritme tmerrësisht të shpejta. Në 1000 shqiptarë, sot 466 jetojnë në hapësirën e Bashkimit Europian. E gjithë kjo është rezultante e politikës së ndërtimit të narkoshtetit që ndoqi Edi Rama, dhe tani, kur skandalet ndjekin njëra-tjetrën, ai paraqiti ndër të papritura dje, një paketë ndryshimesh të nja 100 e sa neneve në Kodin e Procedurës Penale, në të cilat ka absolutisht parasysh mbrojtjen e vetes së tij, vëllaut të tij, familjarëve të tij, dhe ministrave të tij.

Me këtë paketë, përveçse përjashton dënimet me burg në masat nën pesë, nën pesë vite dënim, Edi Rama kërkon me çdo kusht të zhvlerësojë provat me ligj, të zhvlerësojë provat që janë të gjetura në aparatet celulare, të zhvlerësojë provat, të cilat janë të gjetura në vende të ndryshme.

Rikujtova se kjo përpjekje është në kundërshtim flagrant me Gjykimin e Strasburgut dhe Gjykatën Franceze të cilat regjistrimet që gjetën për bandat i kanë quajtur të vlefshme dhe plotësisht të përdorshme. Pra, atë që s’arritën ta bëjnë me presione mbi drejtësinë, tani kërkojnë ta bëjnë me ligj.

U rikujtova gjithashtu se shumica e provave në dosjen "Balluku", shumica e provave në dosjen "Agasi", shumica e provave në dosjen "Ermal Beqiri", dhe të "Vlora Hysenit" janë direkt të lidhura me Edi Ramën dhe akuzojnë Edi Ramën. Ndër të tjera, njoftova sekretaren se këtë paketë, me gosipin e tyre përpiqen ta paraqesin si të miratuar nga Këshilli i Europës.

Unë kërkova që kjo paketë të mos votohet në asnjë mënyrë, kërkova që kjo paketë t’i kalojë për ekspertizë Komisionit të Venecias. Shqipëria nuk ka nevojë të zbusë ligjet në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, përkundrazi, ka nevojë t’i forcojë. Përveç kësaj, theksova se paketa amniston pothuaj 'de facto' të gjitha krimet elektorale. Pra, është një mbështetje e stërfuqishme për vetë Ramën, familjen, qeverinë e tij dhe botën e krimit në Shqipëri.

Ajo çka unë kam kënaqësi t’i informoj shqiptarët, Sekretarja e Përgjithshme më siguroi se Këshilli i Europës, ekspertët e tij, nuk e kanë miratuar këtë paketë, dhe kjo nuk është një paketë e sugjeruar apo e miratuar apo e hartuar nga specialistët e Këshillit të Europës.

E falënderova shumë për pritjen dhe vendosëm që të vazhdojmë dialogun edhe me institucionet, me departamentet e tjera të Këshillit të Europës për këto zhvillime.





Lajmet e fundit nga