Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi nga kryeministri Edi Rama të bëjë publik se cili partner ndërkombëtar dha referenca pozitive për Vlora Hysenin përpara emërimit të saj në krye të SHISH. Bardhi pretendoi se informacionet e opozitës flasin për referenca negative. Ai hodhi akuza se kryeministri Edi Rama dhe presidenti Bajram Begaj edhe kreun e ri të SHISH, do ta vendosin në dispozicion të grupeve kriminale.
“Rama të na shpjegojë cili partner ndërkombëtar ka dhënë referenca të shkëlqyera për Hysenin. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. I kam kërkuar Kryeministrit të tregojë cili partner i ka dhënë referenca pozitive për Vlorën. Informacionet tona flasin për të kundërtën: shërbimet partnere i kanë dhënë referenca negative për këtë detyrë. Nëse referencat e shkëlqyera i ka dhënë shërbimi sekret serb, atëherë kjo e dyfishon skandalin. Nëse referencat i ka dhënë shërbimi sekret rus, kjo e cenon sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Prandaj, transparenca është mekanizmi i duhur për të parandaluar që ngjarje të tilla të përsëriten në të ardhmen.
Rama dhe Begaj, edhe drejtorin e ri të SHISH-it do të përzgjedhin një emër që do ta vënë në shërbim të krimit të organizuar. Nuk ishte akt individual i Hysenit për t’u vënë në shërbim të Agasit. Po të shiheshin komunikimet e Ramës me kreun e grupit të strukturuar kriminal, shastisja kalon në një nivel shumë herë më të lartë. Kuvendi nuk mund të shmanget nga ky debat. Ka përgjegjësi për funksionimin e rregullt të institucioneve, por mbi të gjitha ka përgjegjësi sa i takon sigurisë kombëtare”, tha Bardhi.
Lajmi kryesor:
PS i thotë ‘jo’ debatit në Kuvend për arrestin e ish-kreut të SHISH: Nuk dublikojmë prokurorinë! Bardhi: S’po pengojmë SPAK! Kritika edhe për Von der Leyen (VIDEO)









