Dy media shqiptare, një një Shqipëri dhe një në Kosovë, po gjykohen për shpifje nga një gjykatë austriake, duke dhënë sinjalin se raportimet e dyshuara si të fabrikuara apo të pavërteta në vendin tonë mund të përfshihen në juridiksionin e gjykatave ndërkombëtare.
Gjykata Penale Rajonale e Vjenës (Landesgericht für Strafsachen Wien) ka pranuar së fundmi të shqyrtojë paditë e paraqitura nga sipërmarrësi Samir Mane, president i “Balfin Group”, lidhur me disa publike të konsideruara “shpifje”.
Mane, i cili posedon edhe shtetësinë austriake, i është drejtuar gjykatës vjeneze me kërkesën për të konstatuar “shpifjen” në raportimet e dy mediat shqiptare, për të cilat vlerëson se i kanë dëmtuar imazhin dhe reputacionin e tij.
Vendimi i Gjykatës Penale Rajonale të Vjenës, me numër 113 Hv 143/26s, konfirmon juridiksionin e gjykatës austriake dhe i hap rrugë shqyrtimit të çështjeve, mbështetur në “Ligjin për Median”.
Dr. Matthias Heltschl, nga studioja ligjore austriake “Windhager – Medienrechtskanzlei”, deklaroi se: “Sipas vendimit nr. 113 Hv 143/26s, gjykata austriake iu referua dispozitave të Ligjit Austriak për Median. Vendimi përcakton se, për shkak se publikimet në fjalë ishin të aksesueshme nga publiku në Austri, efekti specifik i veprës penale të pretenduar, në kuptim të nenit 67(2) të Kodit Penal Austriak, ka ndodhur gjithashtu në Austri. Për këtë arsye, gjykata konfirmoi juridiksionin austriak dhe zbatueshmërinë e legjislacionit austriak për median.”
Çështja vjen në një kohë kur Shqipëria vijon procesin e përafrimit të legjislacionit të saj me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe fushën e medias. Në këtë kontekst, mënyra se si legjislacioni për median zbatohet në praktikë në shtetet anëtare të BE-së mund të shërbejë si pikë referimi për diskutimet mbi përgjegjshmërinë e medias dhe standardet e raportimit.














