Kryeministri Edi Rama një ditë më parë prezantoi ndryshimet në Kodin e ri të Procedurës Penale, ku më shumë se t’i dënojë duket se çështjet e luftës kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri i amniston.
DISA PROBLEMATIKA TË PROJEKTNDRYSHIMEVE TË KODIT TË PROCEDURËS PENALE DHE NDIKIMIN E TYRE MBI HETIMIN PENAL, PAVARËSINË E INSTITUCIONEVE TË POSAÇME DHE LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT TË NIVELIT TË LARTË.
Projektndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale kërkojnë një vlerësim shumë më të thellë sesa ai që mund të bëhet përmes analizës së izoluar të secilës dispozitë. Vërejtjet që parashtrohen më poshtë përbëjnë vetëm disa prej problematikave më të dukshme që dalin nga leximi i projektit. Ato nuk pretendojnë të shterojnë pasojat juridike, institucionale dhe praktike të ndërhyrjeve të propozuara. Përkundrazi, analiza e plotë e marrëdhënies ndërmjet dispozitave të ndryshme tregon se problematikat janë dukshëm më të thella, sepse ndryshimet nuk prekin një institut të vetëm të procedurës penale, por ndërhyjnë njëkohësisht në kompetencën e organeve të posaçme, drejtimin e hetimit, marrjen dhe përdorimin e provave, kontrollin gjyqësor mbi hetimin, pozitën procedurale të mbrojtjes dhe regjimin e masave të sigurimit.
Në këtë këndvështrim, çështja kryesore nuk është nëse secila prej dispozitave të veçuara mund të justifikohet me nevojën për rritjen e garancive procedurale, por se çfarë sistemi prodhohet kur të gjitha këto kufizime, detyrime, autorizime, sanksione procedurale dhe mekanizma të rinj zbatohen së bashku.
Rezultati që projekti rrezikon të prodhojë është një procedurë penale në të cilën organi i akuzës ka ndjeshëm më pak hapësirë për të ndjekur dinamikën reale të një hetimi kompleks, ndërsa çdo zgjerim i objektit të hetimit, çdo marrje e të dhënave elektronike, çdo masë sigurimi dhe një pjesë e konsiderueshme e vendimmarrjeve hetimore vendosen nën një regjim të ri formalizimi, autorizimi dhe kontrolli të vazhdueshëm.
Këto pasoja marrin një rëndësi të posaçme kur vendosen në kontekstin e hetimeve për korrupsionin e zyrtarëve të lartë, pastrimin e produkteve të veprës penale dhe krimin e organizuar. Pikërisht këto janë procedimet ku faktet nuk zbulohen në mënyrë lineare dhe ku objekti i hetimit zhvillohet progresivisht përmes analizës së komunikimeve, marrëdhënieve financiare, personave juridikë, kontratave, lëvizjeve bankare dhe lidhjeve ndërmjet personave të ndryshëm.
Komisioni Europian ka vijuar ta konsiderojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të prokurorisë, si dhe efektivitetin e luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë, elemente qendrore të procesit të integrimit të Shqipërisë. Në raportin për Shqipërinë të vitit 2025, Komisioni vuri në dukje si shqetësim serioz vijimin e përpjekjeve të zyrtarëve publikë ose politikanëve për ndërhyrje dhe presion të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor dhe kërkoi reduktimin e ndërhyrjes politike në gjyqësor dhe prokurori. Edhe në mars 2026, Komisioni theksoi se ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit mbetet thelbësore për shtetin e së drejtës. Në maj 2026, pas përmbushjes së benchmark-eve të ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”, vetë BE-ja e përshkroi fazën pasuese si një fazë që duhet të prodhojë rezultate të qëndrueshme dhe të prekshme, jo thjesht ndryshime legjislative.
Në këtë kontekst, çdo reformë e Kodit të Procedurës Penale duhet të vlerësohet edhe nga pikëpamja nëse forcon apo dobëson kapacitetin real të SPAK-ut dhe GJKKO-së për të hetuar dhe gjykuar korrupsionin e nivelit të lartë.
Një nga ndërhyrjet institucionalisht më problematike gjendet në nenin 10 të projektit, nëpërmjet të cilit propozohet plotësimi i nenit 75/a të Kodit.
Sipas dispozitës së propozuar, GJKKO nuk do të jetë kompetente për të gjykuar akuzat ndaj një gjyqtari të GJKKO-së ose një prokurori të Prokurorisë së Posaçme, edhe kur vepra e kryer është ndër ato që, për çdo subjekt tjetër, përfshihen në kompetencën e juridiksionit të posaçëm. Këto raste kalojnë në kompetencën e gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm.
Ky ndryshim kërkon një justifikim institucional jashtëzakonisht të fortë. Sistemi i posaçëm është ndërtuar pikërisht mbi idenë se kompetenca për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të përqendrohet në struktura të specializuara dhe të mbrojtura nga ndikimet e jashtme. Krijimi i një përjashtimi "ratione personae" për personat që ushtrojnë funksionin e prokurorit të posaçëm ose të gjyqtarit të posaçëm e thyen këtë logjikë.
Pyetja juridike është elementare dhe lidhet me arsyen përse e njëjta vepër penale duhet të gjykohet nga një juridiksion i ndryshëm vetëm për shkak se personi që dyshohet se e ka kryer është prokuror i SPAK-ut ose gjyqtar i GJKKO-së?
Pra, në vend që kriteri të jetë natyra e veprës penale, projekti e lidh kompetencën me identitetin institucional të personit.
Ky mekanizëm krijon gjithashtu një problem më të gjerë të perceptimit të pavarësisë. Magjistratët e strukturës së posaçme, të cilëve u kërkohet të hetojnë dhe gjykojnë zyrtarët më të lartë të shtetit, nxirren vetë jashtë sistemit të posaçëm në rast se procedohen penalisht. Në mungesë të një arsyeje objektive dhe bindëse, një regjim i tillë sjell qartazi dobësim të mbrojtjes institucionale të sistemit të krijuar nga reforma në drejtësi.
Neni i ri 25/a vendos si parim se kryerja e veprimeve hetimore jashtë objektit të kallëzimit të regjistruar për veprën penale nuk lejohet dhe detyron prokurorin, kur gjatë veprimeve hetimore konstaton elemente të një vepre tjetër penale, të procedojë me regjistrime të reja dhe me bashkimin ose ndarjen e procedimeve.
Në pamje të parë, përcaktimi i objektit të hetimit paraqitet si garanci kundër një hetimi të pakufizuar. Por, në praktikën e hetimeve komplekse, megjithatë, kjo dispozitë mund të ketë pasoja krejt të ndryshme. Kjo, sepse hetimi i korrupsionit nuk zhvillohet sipas një skeme në të cilën prokurori njeh që në momentin e regjistrimit të gjitha veprat, të gjithë autorët, të gjithë përfituesit dhe të gjitha marrëdhëniet ndërmjet tyre. Hetimi ekziston pikërisht sepse këto elemente duhet të zbulohen.
Një transfertë bankare mund të çojë te një kontratë. Kontrata mund të çojë te një person juridik tjetër. Ky i fundit mund të çojë te një përfitues faktik. Komunikimet mund të evidentojnë një person tjetër dhe analiza financiare mund të zbulojë një vepër tjetër penale.
Kufizimi strikt i veprimeve hetimore sipas formulimit fillestar të objektit të regjistruar rrezikon të shndërrojë çdo zhvillim të hetimit në një çështje procedurale më vete dhe çdo provë të zbuluar në një burim të mundshëm debati mbi përdorshmërinë e saj.
Në vend që procedura t'i shërbejë zbulimit të faktit penal, ekziston rreziku që hetimi të kushtëzohet nga aftësia e prokurorit për të parashikuar paraprakisht faktet që ende nuk i ka zbuluar.
Ndryshimet e propozuara në nenet 287 dhe 287/a i japin gjyqtarit të hetimeve paraprake kompetenca të reja lidhur me regjistrimin e personit dhe veprës penale.
Kur gjyqtari, gjatë shqyrtimit të një kërkese, arrin në përfundimin se një vepër duhet t'i atribuohet një personi që nuk është regjistruar, projekti parashikon mekanizma nëpërmjet të cilëve prokurorit i kërkohet regjistrimi i personit.
Problemi këtu nuk lidhet me kontrollin gjyqësor si të tillë. Kontrolli gjyqësor mbi kufizimin e të drejtave themelore është garanci e domosdoshme. Problemi lind kur gjykata kalon nga kontrolli i ligjshmërisë së një veprimi në ndërhyrjen në strukturimin subjektiv dhe objektiv të hetimit penal.
Ndarja funksionale është thelbësore. Prokurori heton dhe ushtron ndjekjen penale ndërsa Gjykata garanton të drejtat dhe kontrollon ligjshmërinë. Një kod që e zbeh këtë ndarje rrezikon të krijojë një model ku prokurori nuk është më drejtuesi efektiv i hetimit, ndërsa gjyqtari i hetimeve paraprake mund të përfshihet gjithnjë e më shumë në vendimmarrje që kanë natyrë tipike hetimore.
Projekti shkon edhe më tej duke lidhur disa shkelje procedurale të konstatuara gjatë kontrollit gjyqësor me dërgimin e vendimit për vlerësim disiplinor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Përgjegjësia disiplinore e magjistratit është pjesë e domosdoshme e shtetit të së drejtës, por është diçka tjetër kur zgjedhjet hetimore, të cilat zhvillohen në kushte urgjence, pasigurie faktike dhe zhvillimi progresiv të provës, shndërrohen lehtësisht në bazë për aktivizimin e mekanizmit disiplinor.
Në një hetim të zakonshëm kjo mund të krijojë formalizëm dhe burokraci, ndërsa në hetimin e një zyrtari të lartë, i cili disponon pushtet politik, administrativ, financiar dhe publik, efekti frenues mbi prokurorin mund të jetë shumë më serioz.
Prokurori duhet të jetë i përgjegjshëm për shkeljen e ligjit, por ai duhet njëkohësisht të jetë në gjendje të marrë vendime të ligjshme hetimore pa u ndodhur në një situatë ku çdo debat procedural mund të shndërrohet në kërcënim të drejtpërdrejtë për pozitën e tij profesionale.
Kjo është pikërisht arsyeja përse pavarësia e prokurorisë, krahas përgjegjshmërisë, është një nga elementet që vetë Komisioni Europian e trajton si prioritet në rastin e Shqipërisë.
Nenet e reja 152/a–152/ç krijojnë një arkitekturë të re autorizimesh dhe kontrollesh për aksesin në pajisjet dhe të dhënat elektronike, për mënyrën e kërkimit, filtrimit, kopjimit, ruajtjes dhe përdorimit të tyre.
Garancitë e privatësisë dhe proporcionalitetit janë të nevojshme, por nuk mund të harrohet realiteti i hetimit penal modern.
Në korrupsionin e nivelit të lartë, telefonat, komunikimet elektronike, aplikacionet, email-et, serverët, cloud-et dhe pajisjet kompjuterike nuk përbëjnë më prova periferike. Në një numër të madh procedimesh ato janë burimi kryesor nga i cili rindërtohen marrëdhëniet ndërmjet personave, vendimmarrja dhe destinacioni real i përfitimeve.
Nëse çdo fazë e këtij procesi shoqërohet me autorizime të reja, afate, procedura filtrimi, kundërshtime dhe rreziqe përdorshmërie, efekti kumulativ është ngadalësimi dhe fragmentarizimi i hetimit.
Kriminaliteti kompleks nuk pret përfundimin e procedurave burokratike. Të dhënat mund të zhduken, pajisjet mund të ndryshohen dhe personat mund të koordinojnë sjelljen e tyre.
Kjo kërkon ekuilibër ndërmjet privatësisë dhe efektivitetit. Projekti duhet të provohet se e ruan këtë ekuilibër, jo thjesht të supozohet se çdo procedurë shtesë përbën automatikisht garanci më të mirë.
Një nga transformimet më të thella të projektit është krijimi i një kreu të posaçëm të titulluar “Hetimet e mbrojtjes”.
Mbrojtësit dhe personat e autorizuar prej tyre fitojnë kompetenca për marrjen e deklarimeve dhe informacioneve, dokumentimin e tyre, kërkimin e dokumenteve nga administrata, hyrjen në vende të caktuara dhe krijimin e një fashikulli të posaçëm të mbrojtjes.
Këtu jemi te prag-skandali. Parimi i barazisë së armëve nuk nënkupton identitet funksionesh ndërmjet prokurorit dhe mbrojtësit. Prokurori është autoritet publik. Ai është i detyruar nga parimi i objektivitetit dhe duhet të mbledhë e vlerësojë si provat që rëndojnë pozitën e të pandehurit, ashtu edhe ato që janë në favor të tij.
Mbrojtësi ka një funksion krejt tjetër. Detyrimi i tij profesional është mbrojtja e interesave të klientit. Pikërisht për këtë arsye duhet vlerësuar me shumë kujdes deri ku mund të shkojnë kompetencat private të mbledhjes së informacionit dhe çfarë mekanizmash ekzistojnë për të shmangur interferencën me dëshmitarët dhe me një hetim penal në zhvillim.
Çfarë ndodh kur personi i kontaktuar nga mbrojtja është dëshmitar i procedimit?
Çfarë ndodh kur ai ende nuk është pyetur nga prokuroria?
Si evidentohet numri dhe përmbajtja e kontakteve të mëparshme?
Si garantohet që dëshmitari nuk është orientuar, përgatitur ose ndikuar?
Si ruhet autenticiteti dhe integriteti i informacionit të marrë?
Këto nuk janë pyetje teorike. Në hetimin e zyrtarëve të lartë, ku rreth personit nën hetim mund të ekzistojë një rrjet vartësish, bashkëpunëtorësh, subjektesh ekonomike dhe marrëdhëniesh institucionale, ato prekin drejtpërdrejt integritetin e provës.
Projektndryshimet e neneve 228 dhe 229 ndërtojnë një standard dukshëm më restriktiv për masat e sigurimit.
Kodi aktual kërkon ekzistencën e një dyshimi të arsyeshëm të bazuar në prova dhe, për nevojat e sigurimit, parashikon rrezikun ndaj provës, rrezikun e largimit dhe rrezikun e kryerjes së krimeve të rënda ose të të njëjtit lloj.
Projekti jo vetëm kërkon konkretizim dhe aktualitet shumë më të lartë të këtyre rreziqeve, por ndërton edhe kufizime të reja mbi mënyrën se si ato mund të vlerësohen. Parimi se masa nuk mund të mbështetet në formula abstrakte është i drejtë.
Problemi lind kur standardi ngrihet në atë nivel sa gjykata kërkohet të disponojë që në fazën e sigurimit pothuajse atë shkallë konkretizimi faktik që normalisht ndërtohet nëpërmjet vetë hetimit dhe më pas gjykimit.
Rreziku është krijimi i një paradoksi kur prokurorit i kërkohet provë gjithnjë e më e plotë për të përdorur instrumentet që pikërisht i duhen për ta mbledhur dhe mbrojtur atë provë.
Projekti shfuqizon nenin aktual 230 dhe rindërton kriteret e arrestit në burg përmes një sistemi të ri.
Neni 238 i propozuar ruan arrestin në burg nominalisht, por vendos një numër shumë më të madh pengesash dhe përjashtimesh. Pra, teknikisht nuk mund të thuhet se masa “arrest në burg” zhduket.
Por po aq e pasaktë do të ishte të thuhej se pozita e saj mbetet në thelb e njëjtë. Ajo kalon nga një masë ekstreme që përdoret kur masat e tjera janë të pamjaftueshme, në një masë që jo vetëm duhet të kalojë testin e subsidiaritetit, por edhe një seri ndalimesh të reja të lidhura me kufirin e dënimit, prognozën mbi dënimin e ardhshëm dhe rrethana të tjera personale.
Në mënyrë veçanërisht problematike, gjykata kërkohet të bëjë që në fazën e masës një prognozë mbi dënimin që mund të caktohet në përfundim të procesit. Kjo sjell një tension të drejtpërdrejtë me vetë logjikën e masës së sigurimit. Në fazën e masës gjykata nuk vendos fajësinë, por vlerëson dyshimin e arsyeshëm dhe nevojat e sigurimit.
Megjithatë, projekti i kërkon të vlerësojë paraprakisht nëse personi mund të përfitojë pezullim dënimi ose çfarë mase dënimi mund të marrë. Kështu, një gjyqtar që duhet të shmangë paragjykimin e fajësisë detyrohet njëkohësisht të bëjë një parashikim mbi rezultatin eventual të gjykimit.
Ndoshta pasoja praktike më e rëndësishme e gjithë projektit gjendet në dispozitën kalimtare. Projektligji nuk kufizohet te masat që do të caktohen pas hyrjes së tij në fuqi, por parashikon se personat që, në momentin e hyrjes në fuqi, ndodhen me masa që nuk përputhen me kriteret e reja mund të kërkojnë heqjen ose zëvendësimin e tyre.
Madje parashikohet që, brenda 60 ditëve, gjykatat të verifikojnë përputhshmërinë e masave të arrestit në burg me kriteret e reja. Pra, kemi një dispozitë që potencialisht hap për rivlerësim në një periudhë shumë të shkurtër një numër të madh masash sigurimi të vendosura sipas ligjit aktual.
Kjo nuk është një pasojë anësore, por një nga efektet qendrore të synuara të projektit.
Pasi lexon ndryshimet e propozuara nuk mund të injorohet efekti objektiv që këto dispozita mund të kenë pikërisht në procedimet ndaj personave që ushtrojnë ose kanë ushtruar funksione të larta publike.
Personi me pushtet politik ose institucional ka zakonisht një rrjet më të gjerë marrëdhëniesh dhe vartësish; kapacitete më të mëdha financiare; akses në mbrojtje profesionale dhe ekspertizë teknike; mundësi më të mëdha për të ndikuar mbi mjedisin faktik në të cilin zhvillohet hetimi; dhe, në procedimet ekonomike e financiare, një strukturë marrëdhëniesh shumë më komplekse sesa një autor i zakonshëm.
Pikërisht ndaj këtyre procedimeve projekti rrit njëkohësisht kufijtë formalë të objektit të hetimit; nivelin e autorizimit gjyqësor; rrezikun e papërdorshmërisë së provave; hapësirën e veprimtarisë hetimore të mbrojtjes; barrën argumentuese për masat e sigurimit; dhe mundësinë për rivlerësimin e menjëhershëm të masave ekzistuese.
Për këtë arsye duhet vlerësuar jo vetëm garancia që fiton individi në secilën dispozitë të veçuar, por edhe avantazhi procedural kumulativ që sistemi i ri mund t'i japë pikërisht subjektit me kapacitetin më të madh për t'i përdorur të gjitha këto mekanizma njëkohësisht.
Ky projekt, i lexuar në tërësinë e tij, ngre një shqetësim serioz se ekuilibri është zhvendosur në një masë të tillë që aftësia reale e shtetit për të hetuar korrupsionin kompleks dhe veçanërisht korrupsionin e nivelit të lartë mund të dobësohet në mënyrë substanciale.
Shqipëria ndodhet në fazën më të avancuar deri më sot të procesit të negociatave me Bashkimin Europian. Në maj 2026 u konstatua përmbushja e benchmark-eve të ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”, ndërsa vetë Komisioni ka bërë të qartë se faza e re matet mbi zbatimin, rezultatet e qëndrueshme dhe pakthyeshmërinë e reformave.
Po kështu, raportet e Komisionit e trajtojnë luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë si elemente thelbësore të procesit të anëtarësimit.
Pikërisht për këtë arsye, një reformë e tillë nuk mund të vlerësohet vetëm me kriterin formal nëse secila dispozitë mund të gjendet ose jo në ndonjë sistem europian. Duhet të vlerësohet efekti i paketës në kontekstin shqiptar.
Një dispozitë që funksionon në një sistem me institucione të konsoliduara, administratë të depolitizuar dhe rrezik të ulët ndërhyrjeje mund të prodhojë pasoja krejt të ndryshme në një sistem ku vetë Komisioni Europian ka evidentuar si shqetësim serioz përpjekjet për ndikim politik mbi gjyqësorin dhe prokurorinë.
Prandaj, në procesin e vlerësimit europian të kësaj reforme, çështjet thelbësore janë:
A forcohet apo dobësohet SPAK-u pas këtyre ndryshimeve?
A bëhet më efektiv apo më i vështirë hetimi i korrupsionit të nivelit të lartë?
A ruhet pavarësia funksionale e prokurorit në drejtimin e hetimit?
A mbetet gjykata kontrollues i ligjshmërisë apo zhvendoset drejt bashkëdrejtimit të hetimit?
A ruhet aftësia për të marrë në kohë provën elektronike dhe financiare?
A janë kompetencat e hetimit të mbrojtjes të shoqëruara me garanci të mjaftueshme për integritetin e dëshmitarëve dhe provave?
Dhe, mbi të gjitha, a prodhon reforma një sistem në të cilin korrupsioni i zyrtarëve të lartë mund të hetohet realisht dhe efektivisht?
Nëse përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve rezulton negative pas një vlerësimi të plotë, atëherë problemi nuk është një papërsosmëri teknike e Kodit, por cenimi i një prej rezultateve themelore të reformës në drejtësi: krijimi i një sistemi të aftë të hetojë persona ndaj të cilëve sistemi i zakonshëm për dekada kishte treguar paaftësi për të prodhuar përgjegjshmëri efektive.
Megjithatë, vërejtjet e mësipërme përbëjnë vetëm një pjesë të problematikave që evidentohen nga drafti. Analiza e plotë duhet të shtrihet në çdo dispozitë dhe, sidomos, në ndërveprimin ndërmjet tyre.
Por, që në këtë fazë mund të konstatohet se projekti nuk sjell vetëm rregullime teknike të procedurës penale. Ai ndryshon raportin e pushtetit procedural ndërmjet prokurorit, gjykatës dhe mbrojtjes, prek drejtpërdrejt instrumentet që përdoren për hetimin e veprave komplekse dhe krijon një regjim shumë më kufizues për masat që sigurojnë procesin.
Në këtë kuadër, shqetësimi më i madh nuk lidhet me një nen të vetëm, por me mundësinë që efekti i kombinuar i këtyre dispozitave të shndërrojë një sërë garancish, secila e justifikueshme në abstrakt, në një sistem që e bën hetimin penal të ngadaltë, tepër të formalizuar dhe në raste të caktuara praktikisht joefektiv.
Dhe pasoja më serioze do të shfaqej pikërisht aty ku Shqipëria ka pasur nevojën më të madhe për institucione të forta: në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe të personave që disponojnë pushtet politik, ekonomik dhe institucional.
Për këtë arsye, projekti kërkon një shqyrtim të plotë të ndikimit të tij mbi pavarësinë dhe efektivitetin e SPAK-ut dhe GJKKO-së, si dhe një vlerësim të posaçëm në kuadër të standardeve të shtetit të së drejtës dhe benchmark-eve të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Një reformë procedurale që dobëson në praktikë aftësinë për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë do të ishte në tension të drejtpërdrejtë me objektivin europian për rezultate të qëndrueshme, të besueshme dhe të pakthyeshme në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e pavarësisë së drejtësisë. /CNA
Përplasja e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakun e arr...
Seanca e gjykimit me themel ndaj kreut të PL-së, Ilir Meta...
Gjykata e Fierit me kërkesë të Prokurorisë ka sekuestruar ...
Gazetarja Ambrozia Meta ka bërë një reagim në rrjetet soci...
Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, në një postim në...
Ish-deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur ditën e sot...
Publikimi i lajmeve të rreme të rrjedhura nga histori të s...
Nënkryetari i PD-së Belind Këlliçi ka akuzuar se në Top Ch...
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, k...
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka hedh...
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur hetimet kryes...
Një shqetësim ngrihet mbi mënyrën se si trajtohen autorësi...
Bashkimi Europian po përgatit propozime që do t'u japin ka...
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të...
Qindra qytetarë po protestojnë pasditen e kësaj të mërkure...
Raporti i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit mb...
Këtë të mërkurë, 30 shtator 2026, u prezantuan nga kryemin...
Një raport i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit...
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar një raport mb...
Von der Leyen sapo ka mbërritur në Kryeministri. Kreu i q...
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit 2025 me qëllim audi...
Vetëm pak kilometra larg Tiranës, një tjetër problem mjedi...
Lumi Lana, me një gjatësi prej rreth 29 kilometrash, përsh...
KLSH ka bërë një auditim për të vlerësuar zbatimin e ligje...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi këtë të hën...
Vettingu i KPA-së vendosi këtë të enjte shkarkimin e p...
Suela Salavaçi, me detyrë prokurore në Prokurorinë e T...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë pro...
Gjykata e Fierit ka kërkuar vijimin e masës së sigurisë “a...
Kapet në Kavajë, 1 shtetas me rrezikshmëri të lartë, i aku...
Një vatër zjarri është regjistruar në fshatin Bishqem të P...
Kompozitori i njohur, Adi Hila, ka dhënë dëshminë e tij pa...
Mungesa e linjave të transportit publik drejt Tiranës në o...
Tregu shqiptar dominohet nga profesione që kërkojnë aftësi...
Për ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga të njëjtat ...
Kriminaliteti me përfshirje të shtetasve të huaj zakonisht...
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i kanë thënë Rad...
E dënuara me vdekje në Tennessee, Christa Pike, është dërg...
Forcat e sigurisë në Francë kanë arrestuar dje mbi 600 per...
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri spanjo...
Kjo e martë shënoi nisjen e punimeve civile dhe konservues...
Tirana ka një mozaik të ri të krijuar nga një punë artizan...
Një mbrëmje kushtuar poezisë, artit dhe krijimtarisë së po...
Më 29 shtator 2026, Teodor Laço, një prej figurave të shqu...
Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë për herë të tretë ...
Çmimi i naftës ra të enjten, ndërsa rimëkëmbja e eksportev...
Raporti i kredive me probleme i institucioneve financiare ...
Këtë të enjte një dollar amerikan blihet me 80.5 lekë dhe ...