Kurti: Sot nisim komunikimet me opozitën për Presidentin e ri

Nga A2 CNN
1 Tetor 2026, 12:58 | Aktualitet

Kurti: Sot nisim komunikimet me opozitën për Presidentin e ri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot do të nisin komunikimet për takime me krerët e opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Kurti tha se komunikimet me opozitën do të fillojnë menjëherë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Këtë deklaratë ai e bëri për KosovaPress, pas homazheve për ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ejup Statovci, me rastin e 29 vjetorit të protestave.

“Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re”, tha Kurti.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri përfundon më 6 tetor. Në rast të dështimit të zgjedhjes së kreut të shtetit brenda këtij afati, vendi përballet me zgjedhje të reja.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos