Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

“Xhelozia e mediokërve”, Rama shpërthen për kullat dhe arkitektët e huaj: Nuk dimë t'i bëjmë vetë, qeveria nuk nxjerr asnjë me forcë që të ndërtojë privati

Shkruar nga Newsbomb
“Xhelozia e mediokërve”, Rama shpërthen për kullat
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektet e zhvillimit urban dhe përfshirjen e arkitektëve të huaj në transformimin e Tiranës, duke hedhur poshtë akuzat se qeveria ka nxjerrë me forcë qytetarë nga banesat e tyre për t’i hapur rrugë projekteve private.

Gjatë fjalës së tij në konkursin për ndërtimin e një tjetër kulle në Tiranë, në zonën ku ndodhet aktualisht “Taiëani”, Rama deklaroi se në asnjë rast qeveria nuk ka përdorur forcën për të larguar pronarët nga shtëpitë e tyre.

“Absurditeti që në projektet tona ne bëjmë nxjerrje me forcë nga shtëpitë të njerëzve për të imponuar projekte që arkitektët ndërkombëtarë i bëjnë pa pasur parasysh njerëzit. Nuk ka ndodhur për asnjë arsye në Shqipëri nxjerrje me forcë nga shtëpia për të zhvilluar një projekt privat”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, arkitektët ndërkombëtarë që angazhohen në Shqipëri nuk vijnë për të realizuar projekte që nuk do të mund t’i ndërtonin në vendet e tyre, ndërsa proceset e zhvillimit urban, sipas tij, kryhen brenda rregullave.

“Ajo që është pastaj kulmi në këtë qasje është që arkitektët e huaj vijnë në Shqipëri për të bërë art ëashing, buldozer politics dhe për të realizuar gjëra që janë jashtë standardeve. E vërteta është krejt ndryshe. Kemi pasur vazhdimisht diskutime për rregullimin dhe për pengesa në zhvillimin urban, por kjo nuk do të thotë që në Shqipëri ndërtojmë pa rregulla”, u shpreh ai.

Rama u ndal edhe te kritikat ndaj arkitektëve të huaj, duke e lidhur kundërshtimin e tyre me atë që e cilësoi si “xhelozi” dhe “nacionalizëm”.

“Ka diçka shumë të qartë për mua në gjithë këtë qasje agresive ndaj këtij procesi që është xhelozia. Xhelozia e njerëzve mediokër dhe njerëzve të cilët kapen pas nacionalizmit, pas pasaportës, kapen pas faktit që janë pjesë e komunitetit lokal dhe nuk kapen pas profesionit, argumenteve dhe pas mundësisë për të qenë konkurrues”, tha kryeministri duke shtuar në fund:

“Sot Shqipëria dhe Tirana janë universiteti më i madh i hapur në natyrë. Ndërtimi i kullave është kaq kompleks dhe kërkon kaq shumë profesionistë, sa duhet ta pranojmë se nuk kemi kapacitetin dhe dijen për të bërë këtë gjë. Nuk kemi të bëjmë me një komunitet biznesmenësh, por me një komunitet dijeje”, përfundoi Rama.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese