web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Vrulli” i kredisë për shtëpi, BSH rrit përsëri kërkesat e kapitalit ndaj bankave

1 Tetor 2026, 13:14, Ekonomi CNA

“Vrulli” i kredisë për shtëpi, BSH rrit

Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë për herë të tretë shtesën kundërciklike të kapitalit për bankat tregtare. Guvernatori Gent Sejko ka vendosur që kjo shtesë të rritet në nivelin 0.75%, nga 0.5% që është aktualisht, me efekt nga 30 shtator 2027.

Sipas rregullores “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”, shtesa kundërciklike e kapitalit ka si qëllim posaçërisht ngadalësimin e kreditimit, në rast se rregullatori gjykon se kjo rritje është shumë e shpejtë dhe mund të sjellë potencialisht rreziqe të shtuara për stabilitetin financiar.

Vendimmarrja mbi nivelin e shtesës kundërciklike mbështetet, së pari, në ecurinë e vlerave të treguesit të hendekut të raportit të kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Raporti i mësipërm tregon devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit.

Sipas analizës së fundit të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë 2026 hendeku i raportit kredi/PBB mbetet negativ, por ka vijuar të ngushtohet me ritëm të përshpejtuar, duke regjistruar devijimin më të ulët në terma absolutë nga prirja afatgjatë që prej Tremujorit IV 2009.

Hendeku është ngushtuar me rreth 2.6 pikë përqindjeje ndaj një viti më parë dhe me 0.96 pikë përqindjeje ndaj tremujorit paraardhës.

Kjo ecuri reflekton rritjen e kredisë me 11.7% në terma vjetorë, ndjeshëm mbi normën e vjetorizuar të rritjes së PBB-së prej 4.6%, duke sjellë afrimin e mëtejshëm të raportit kredi/PBB me prirjen e tij afatgjatë.

Në nivel segmentesh, hendeku për individët mbetet pozitiv dhe është zgjeruar për të katërtin tremujor radhazi, duke arritur në 1.31 pikë përqindjeje, çka, sipas Bankës së Shqipërisë,  kërkon monitorim të vazhdueshëm të dinamikës së huamarrjes dhe ngarkesës me borxh të familjeve.

Për bizneset, hendeku mbetet negativ, në -2.3 pikë përqindjeje, por ka vijuar të ngushtohet gradualisht, me rreth 1.4 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar përmirësimin e rolit të kreditimit në financimin e aktivitetit të biznesit.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë nënvizon se është e rëndësishme të vlerësohet nëse rritja e huamarrjes së bizneseve është shoqëruar me zgjerimin e aktivitetit dhe të kapaciteteve prodhuese, si dhe me përmirësimin e performancës së tyre financiare. Monitorimi i këtyre zhvillimeve mundëson identifikimin në kohë të dobësive të mundshme në aftësinë paguese të huamarrësve dhe të rreziqeve për cilësinë e portofolit të kredisë.

Kontributin kryesor në zgjerimin e kredisë vijojnë ta japin segmentet e financimit të pasurive të paluajtshme dhe, në veçanti, kredia për blerjen e banesave.

Në segmentin e individëve, rritja e portofolit të kredisë mbështetet në masë të konsiderueshme nga financimi për blerjen e pasurive të paluajtshme rezidenciale, i cili ka shfaqur ritme rritjeje sistematikisht më të larta krahasuar si me zgjerimin e tepricës së përgjithshme të kredisë, ashtu edhe me rritjen nominale vjetore të PBB-së.

Kjo dinamikë është reflektuar në rritjen e vazhdueshme të peshës së kredisë për banim të individëve ndaj PBB-së, raport i cili ka ndjekur një prirje të qëndrueshme rritëse që prej tremujorit të katërt të vitit 2019.

Treguesi i paralajmërimit të hershëm plotësues (TPHP) e ka sinjalizuar prej disa tremujorësh këtë ecuri të shpejtë të kredisë.

Vlerat e indeksit (aktualisht 0.71) gjenden mbi kufirin maksimal të përcaktuar në Metodologjinë “Për përcaktimin e shtesës kundërciklike të kapitalit” (0.5), një territor ku kjo metodologji parashikon zbatimin e një vlere pozitive më të lartë të shtesës kundërciklike, prej të paktën 1%.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja me ritme të larta e kredisë mund të shoqërohet me akumulimin gradual të dobësive, të lidhura me lehtësimin e standardeve të kreditimit, përqendrimin e ekspozimeve në sektorë ose tregje të caktuara dhe rritjen e ngarkesës me borxh të sektorit privat.

Nëse këto dobësi materializohen ose ndërveprojnë me goditje të pafavorshme, ato mund të rrisin ndjeshmërinë e ekonomisë dhe të sektorit financiar dhe të ndikojnë në qëndrueshmërinë e ndërmjetësimit financiar.

Banka Qendrore argumenton se politika makroprudenciale synon të ndërtojë në mënyrë parandaluese kapacitete absorbuese ndaj humbjeve gjatë fazave të favorshme të ciklit financiar.

Në përputhje me kuadrin rregullator dhe metodologjinë në fuqi, zhvillimet aktuale krijojnë bazë për rritjen e normës së shtesës kundërciklike të kapitalit (KUNC) përtej nivelit aktual prej 0.5%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rritje do të mundësonte krijimin e rezervave shtesë të kapitalit në kushtet kur sektori bankar paraqitet financiarisht i qëndrueshëm, të cilat mund të çliroheshin në një fazë të ardhshme të ngadalësimit të ciklit financiar, duke forcuar kështu funksionin kundërciklik të instrumentit.

Banka e Shqipërisë e nisi për herë të parë aplikimin e normës së shtesës kundërciklike të kapitalit (KUNC) në qershor 2024, në masën 0.25%, ndërsa e rriti atë në dhjetor 2024, përsëri me 0.25%. Këto rritje të KUNC kanë hyrë në fuqi për t’u përmbushur përkatësisht në qershor dhe në dhjetor 2025.

Njëkohësisht, me qëllim ruajtjen e cilësisë së ekspozimeve të bankave në tregun e pasurive të paluajtshme, prej korrikut 2025 Banka e Shqipërisë vendosi të zbatojë kufij të sipërm në dy tregues të standardeve të kredidhënies për pasuri të paluajtshme, raportin e kredisë ndaj vlerës së pronës dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave të kredimarrësit./Monitor 





Lajmet e fundit nga