SYRI TV/ Abuzimi me tenderat, Rama i vendos kufi SPAK-ut: Nuk mund të arrestohen zyrtarët e lartë

13:05, 01/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Me ndryshimet e propozuara dje nga kryeministri Edi Rama për Kodin e Procedurës Penale, asnjë prej zyrtarëve që abuzon me tenderat nuk do të përfundojë në burg. Abuzimi me tenderat parashikohet deri në dënim me 5 vite burg, e sipas ndryshimeve të propozuara, asnjë zyrtar abuzues nuk do të arrestohet deri në dhënien e një vendimi të formës së prerë.

SYRI TV

Nuk ka rëndësi nëse abuzon me tender në vlerën 1 mijë euro apo 100 milionë euro. Me ndryshimet e pritshme në Kodin e Procedurës Penale, zyrtarët e lartë të qeverisë së Edi Ramës mund të qëndrojnë të qetë.

Asnjëri prej tyre nuk do të arrestohet dhe nuk do të përfundojë në burg. Kjo është një nga manovrat e fshehura në projektin e prezantuar nga kryeministri Edi Rama paraditen e kësaj të mërkure.

Ai deklaroi në një takim publik se qeveria dhe maxhoranca e tij kanë planifikuar të bëjnë ndryshime në Kodin e Procedurës, ku parashikohet se për veprat që dënohen deri në 3 vjet burgim nuk aplikohet asnjë masë sigurimi. Po ashtu, për veprat penale me dënim deri në 5 vjet, nuk aplikohet masa e arrestit me burg.

Neni 258 i Kodit Penal, i titulluar “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande”, parashikon një dënim deri në 1 vit burgim për abuzime deri në 800 mijë lekë të reja dhe deri në 5 vjet për ato që kalojnë këtë limit vlere.

Sipas ndryshimeve të pritshme të deklaruara nga Rama, zyrtarët, nga më të ultit, deri më të lartit, nuk do të përballen me asnjë masë sigurimi, nëse shkelja është më pak se 8 mijë euro. Por ndryshimi më thelbësor është amendimi i pritshëm për abuzimet me tendera në vlera të larta.

Zyrtarët që kryejnë shkelje të kësaj natyre nuk mund të arrestohen, pasi kjo vepër dënohet maksimalisht deri në 5 vjet burgim. Me Kodin aktual të Procedurës Penale, gjykata mund të caktojë arrest me burg për vepra penale që dënohen maksimalisht deri në 4 vjet burgim.

Pasi Edi Rama dhe maxhoranca e tij të kryejnë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, zyrtarët që abuzojnë me tenderat në vlera të larta shpëtojnë nga arrestimi.

Natyrisht, kjo nuk i shmang nga një dënim i mundshëm me burg, nëse shpallen fajtorë. Por zyrtarët, sidomos ata të lartë, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, i kanë të gjitha mundësitë që, nga liria, të manipulojnë apo tjetërsojnë prova e të intimidojnë dëshmitarë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco