Policia e Shtetit ka arrestuar në Kavajë 47-vjeçarin Fatmir Mahmudaj të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i akuzuar si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Mahmudaj ishte në kërkim nga Interpol Roma pasi Gjykata e Bolonjës kishte lëshuar ndaj tij, më 25 maj 2026, një urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Romë për të përfunduar procedurat e ekstradimit të 47-vjeçarit në Itali.
Njoftimi i plotë i policisë
“Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “Fast”, finalizohet një tjetër fazë. Kapet në Kavajë, 1 shtetas me rrezikshmëri të lartë, i akuzuar në Itali, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Në vijim të bashkëpunimit shumë të ngushtë me homologët italianë, bazuar në informacionet e shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, gjatë së cilës u lokalizua në Kavajë, u kap dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi me rrezikshmëri të lartë F. M., 47 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Bolonjës, Itali, më datë 25.05.2026, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për të, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Romë, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit F. M., në Itali”

