Dy shtetas të huaj janë arrestuar në Shkodër, pasi u kapën duke transportuar me automjet katër shtetas nga Afganistani, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi.
Në pranga kanë përfunduar një shtetas azerbajxhanas, 59 vjeç, me inicialet M. A., dhe një shtetas turk, 36 vjeç, me inicialet C. D.
Sipas Policisë, automjeti u ndalua në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit. Në të ndodheshin dy të arrestuarit, ndërsa katër shtetasit afganë po transportoheshin kundrejt pagesës.
Policia dyshon se katër shtetasit nga Afganistani synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Malin e Zi.
Automjeti me të cilin po transportoheshin shtetasit afganë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.













