Deputeti i Fidesz-it dhe ish-ministri hungarez i Kulturës dhe Inovacionit, Hankó Balázs, u soll të enjten në Gjykatën e Rrethit të Kecskemétit i prangosur dhe nën mbikëqyrjen e autoriteteve. Gjyqtari hetues pritet të vendosë nëse ai do të arrestohet në kuadër të hetimit penal që lidhet me menaxhimin e fondeve të Fondit Kombëtar të Kulturës.
Mediat hungareze raportojnë se Hankó u shoqërua deri në gjykatë nga zyrtarë të Administratës Kombëtare Tatimore dhe Doganore (NAV). Gazetarët që ndodheshin para sallës së seancave u mbajtën larg nga forcat e rendit.
Të lidhura
None found
Kur u pyet nga mediat se si ishte ndjerë gjatë kohës në ndalim, ish-ministri, teksa qëndronte me pranga në duar, u përgjigj shkurtimisht: “Kam deklaruar gjithçka.”
Hankó qëndroi rreth 15 minuta brenda sallës së gjyqit dhe më pas doli, për t’u kthyer sërish bashkë me avokatin e tij mbrojtës për vijimin e seancës.
Sipas hetuesve, gjatë periudhës që mbante postin e ministrit të Kulturës, Hankó dyshohet se ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në vendimmarrjen dhe ndarjen e qindra granteve nga Fondi Kombëtar i Kulturës (NKA). Këto fonde, në vend që të shkonin për projekte kulturore, mendohet se janë përdorur për fushatën zgjedhore të Fidesz-it ose për interesa private të përfituesve.
Prokuroria kishte kërkuar një javë më parë heqjen e imunitetit parlamentar të Hankó-s. Kuvendi i Hungarisë e miratoi kërkesën të hënën, duke i hapur kështu rrugën nisjes së procedimit penal ndaj tij.
Pas votimit në parlament, Hankó kaloi disa orë në zyrën e tij brenda ndërtesës së Kuvendit. Më pas, pasi mori njoftimin zyrtar, ai u paraqit në selinë e NAV-së në rrugën Huszti.
Autoritetet e arrestuan formalisht dhe e transferuan në Kecskemét, ku u mor në pyetje për rreth pesë orë si i dyshuar për shpërdorim detyre me pasoja financiare veçanërisht të rënda.
Tani pritet që vendimi i gjykatës të përcaktojë nëse ish-ministri do të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.
