Nis Tetori Rozë, Spahiu: Forcojmë depistimin e kancerit të gjirit, 50 mijë gra të depistuara deri në 2030
Në nisje të fushatës ndërkombëtare të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, bëri thirrje për kryerjen e kontrolleve në kohë, si një nga masat më të rëndësishme për diagnostikimin e hershëm dhe rritjen e mundësive për trajtim të suksesshëm.
“Kontrolli është dashuri për veten. Kanceri i gjirit, kur zbulohet në fazat e hershme, ka mundësi shumë më të mëdha për trajtim të suksesshëm. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha grave të mos e shtyjnë kontrollin. Një kontroll mund të duket si një hap i vogël, por mund të bëjë një ndryshim të madh”, u shpreh Spahiu.
Forcimi i depistimit dhe diagnostikimit të hershëm është pjesë e një angazhimi afatgjatë, me synimin për të zgjeruar aksesin e grave në kontrolle dhe për të garantuar kujdes në kohë.
“Ky angazhim nuk është vetëm për muajin tetor. Në zbatim të Planit Kombëtar të Kontrollit të Kancereve, synojmë që deri në fund të vitit 2030 të arrijmë 50 mijë gra të depistuara, duke zgjeruar aksesin dhe duke forcuar hap pas hapi parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm”, theksoi ministrja Spahiu.
Referuar raportit statistikor të Institutit të Shëndetit Publik, të dhënat tregojnë se incidenca e kancerit të gjirit te gratë vijon rritjen e qëndrueshme, ndërsa mortaliteti nuk ka ndjekur të njëjtën prirje dhe ka shënuar rënie. Incidenca e standardizuar është rritur nga 55.8 raste për 100 mijë gra në vitin 2021 në 64.1 në vitin 2025, ndërsa mortaliteti i standardizuar ka rënë nga 18 në 16.1 për 100 mijë gra në të njëjtën periudhë.
Në vitin 2025, në sistemin shëndetësor shqiptar u diagnostikuan 829 raste të reja me kancer gjiri te gratë, ndërsa 77.1% e rasteve të reja i përkisnin grupmoshës mbi 50 vjeç.




