E ftuar në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” me Stenaldo Mëhillin, ka qenë gazetarja e njohur Klodiana Lala, për të diskutuar më shumë mbi ngjarjet më të fundit të ndodhura në vendin tonë, që nga skandali i ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, e deri tek përgjegjësia e kryeministrit në këtë rast…
Si u ndieve pas komentit të ish-drejtueses së SHISH lidhur me agjentët serbë?
Jam mësuar me goditje poshtë brezit. Kur e kam nisur këtë profesion, 23 vite më parë, kam qenë e bindur që do të kisha goditje edhe surratit, edhe poshtë brezit, edhe mbrapa shpine. Asnjë përshtypje, është një çështje që i takon drejtësisë dhe nuk kam asnjë koment për të bërë. Por ama di të them një gjë, që unë jam një zë i një gruaje të fortë, që nuk më tremb asgjë. Dhe inkurajoj çdo grua dhe vajzë në këtë vend, që të jetë e sigurt në hapat që hedh dhe të bëjë më të mirën për vendin e vet. Është shumë e thjeshtë dhe shumë e lehtë ta atakosh një grua, por është shumë e vështirë të qëndrosh me kokën lart. Dhe këtë gjë unë e kam thënë edhe para disa kohësh në podcast. Më vijnë shumë vajza të reja, mikesha të mia, të cilat me një fjalë të thënë, ulin kokën. Unë jam krenare për veten time dhe jam me kokën lart. Dhe në këtë aspekt, jam mësuar me të gjitha goditjet edhe nën brez dhe nuk më bëjnë përshtypje fare.