web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ndërtimi rrit treguesin e besimit në ekonomi/ Sektorët e tjerë shfaqin pesimizëm

1 Tetor 2026, 14:06, Ekonomi CNA

Ndërtimi rrit treguesin e besimit në ekonomi/ Sektorët e

Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 0.3 pikë në muajin shtator. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e treguesit këtë muaj u ndikua kryesisht nga rritja e treguesit të besimit në sektorin e ndërtimit dhe, më pak, nga rritja e besimit të konsumatorit.

Ndërkohë, treguesit e besimit në sektorët e industrisë, shërbimeve dhe tregtisë regjistruan rënie Aktualisht, niveli aktual i këtij treguesi qëndron 7.8 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Treguesi i besimit të industrisë ra me 3.8 pikë përqindje në muajin shtator, i ndikuar nga vlerësimet dukshëm më pak pozitive për prodhimin industrial. Niveli i këtij treguesi, aktualisht, qëndron rreth 3 pikë përqindjeje mbi mesataren historike. Ndërkohë, vlerësimet mbi ecurinë e porosive aktuale dhe pritjet për porositë për eksporte kanë qenë pranë atyre të një muaji më parë. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për punësimin në të ardhmen kanë regjistruar rritje në shtator, ndërkohë që çmimet e produkteve priten të bien.

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 6.6 pikë përqindje në muajin shtator. Ky tregues qëndron 18 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Zgjerimi i u përcaktua nga vlerësimet në rritje, si për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu edhe për kontratat porositëse. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar gjithashtu me rritje.

Treguesi i besimit në shërbime ra me 2.4 pikë përqindje në muajin shtator. Megjithatë, niveli i treguesit qëndron rreth 5 pikë përqindjeje mbi mesataren afatgjatë. Në rënien e treguesit kontribuuan vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për nivelin aktual të kërkesës dhe për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre. Në kahun rënës janë rishikuar edhe pritjet për nivelin e punësimit në të. Pritjet për çmimet janë rishikuar për lart.

Treguesi i besimit në tregti u ul me 1.8 pikë përqindje në muajin shtator. Niveli i këtij treguesi qëndron rreth 10 pikë përqindjeje mbi mesataren historike. Vlera aktuale e treguesit u ndikua nga vlerësimet në rënie të ecurisë aktuale të biznesit dhe nivelit të punësimit në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen regjistruan rënie.

Treguesi i besimit konsumator regjistroi rritje me rreth 2.3 pikë përqindjeje, duke e pozicionuar treguesin rreth 5 pikë përqindjeje mbi nivelin e mesatares historike.

Konsumatorët vlerësuan me rritje të gjithë komponentët përbërës të treguesit: situatën e tyre financiare dhe situatën ekonomike të vendit në të ardhmen, si dhe blerjet aktuale dhe në të ardhmen në shuma të mëdha. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.

Treguesit e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve dhe gjendjes financiare së bizneseve shfaqën rritje në sektorin e ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2026, krahasuar me një tremujor më parë. Ndërkohë, sektorët e tjerë regjistruan rënie të treguesve përkatës. /Monitor





Lajmet e fundit nga