PD kundër “Kodit të Procedurës”, Berisha: Ndryshimet e propozuara synojnë të bëjnë të pavlefshme provat e SPAK
Partia Demokratike është kundër ndryshimeve të propozuar nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale. Kryetari i PD Sali Berisha shfrytëzoi një takim me Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Despina Chatzivassiliou, për të përcjellë shqetësimin e opozitës për këtë paketë ligjore e cila sipas tij, është hartuar për të mbrojtur kryeministrin dhe bashkëpunëtorët e tij nga ndjekja penale.
“Një paketë ndryshimesh të nja 100 e sa neneve në Kodin e Procedurës Penale, në të cilat ka absolutisht parasysh mbrojtjen e vetes së tij, vëllaut të tij, familjarëve të tij, dhe ministrave të tij”, tha Berisha.
Sipas Berishës këto ndryshime synojnë të bëjnë të pavlefshme provat e mbledhura nga prokuroria e posacme.
“Me këtë paketë, përveçse përjashton dënimet me burg në masat nën pesë, nën pesë vite dënim, Edi Rama kërkon me çdo kusht të zhvlerësojë provat me ligj, të zhvlerësojë provat që janë të, të gjetura në aparatet celulare, të zhvlerësojë provat të cilat janë të gjetura në, në vende të ndryshme”, tha kreu i PD.
Berisha kërkoi që Komisioni i Venecias të japë opinionin tij për ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale.
“Shqipëria nuk ka nevojë të zbusë ligjet në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, përkundrazi, ka nevojë t’i forcojë. Përveç kësaj, theksova se paketa amniston pothuaj de facto të gjitha krimet elektorale”, tha ai.
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale kërkojnë 84 vota për tu miratuar, por mazhoranca socialiste së bashku me aleaten e saj PSD, ka 85 mandate e mund ta miratojë pavarësisht kundërshtimeve të opozitës.




