Braktisi grumbullimin e Kombëtares portugeze, Cristiano Ronaldo rrezikon deri në 6 muaj pezullim

01/10/2026 14:33

Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, rrezikon të dënohet me pezullim nga një deri në gjashtë muaj, si dhe me një gjobë financiare, pas largimit nga grumbullimi i Kombëtares. Kjo është ajo që publikon media portugeze që citon Kodin e Disiplinës së Federatës Portugeze të Futbollit.

‘Futbollisti i grumbulluar rregullisht me Kombëtaren, i cili largohet ose mungon pa arsye të justifikuar në një stërvitje, ndeshje apo aktivitet të ekipeve kombëtare, ose në një veprimtari që lidhet me përfaqësimin sportiv të FPF-së apo të Portugalisë, dënohet me pezullim nga një deri në gjashtë muaj dhe, si masë shtesë, nëse bëhet fjalë për futbollist profesionist, me gjobë me rreth 500 deri në 1.000 euro’-theksohet në Kodin e Disiplinës së Federatës Portugeze.

Po kështu, Pika 2 e nenit të 160 të këtij kodi parashikon gjithashtu se  mungesa ose largimi sjell automatikisht pezullimin e përkohshëm të futbollistit, në përputhje me këtë rregullore. E gjithë kjo situatë vjen pas disa ditësh tensionesh të forta. Cristiano Ronaldo ishte titullar në fitoren e Portugalisë ndaj Uellsit në sfidën e parë të Grupit A4 të Nations League.

Por kapiteni u la në stol gjatë gjithë ndeshjes në përballjen me Norvegjinë. Në përfundim të sfidës sulmuesi nuk qëndroi me pjesën tjetër të skuadrës për të përshëndetur tifozët po shkoi direkt në dhomat e zhveshjes duke e shfaqur hapur pakënaqësinë e tij që kulmoi pikërisht këtë të mërkurë.

Top Channel